Pas emërimit të Arben Vitisë ministër i Shëndetësisë, qytetarët janë në pritje se si do të veprohet lidhur me masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Derisa nuk ka vendim të ri, nga Lëvizja Vetëvendosje ka zëra të cilët po rekomandojnë mbyllje totale së paku për dy javë.
Kështu shkroi deputeti i Vetëvendosjes, Visar Korenica, i cili numëron hapat nëpër të cilët duhet kaluar për shpëtim të qytetarëve.
“Vaksina është e sigurt!
Mbyllja totale për dy javë, për ta izoluar dhe parandaluar përhapjen e virusit duke e vënë nën kontroll dhe në vazhdimësi vaksinimi i gjithë popullsisë, janë hapa të domosdoshëm për të shpëtuar jetë njerëzish.
Bashkë ia dalim!” ka shkruar ai.
Por, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti ka thënë se Ministria e Shëndetësisë nuk ka marrë asnjë vendim sa u përket masave të reja apo mbylljes.