Më 5 maj përfundon afati kushtetues ligjor për presidentin në detyrë.
Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike ka thënë në ktv se nëse presidenti nuk zgjidhet në afatin kushtetues, nuk ka pasoja të veçanta kushtetuese mbi Qeverinë.
“Nëse presidenti nuk zgjidhet në afatin kushtetues nuk ka pasoja të veçanta kushtetues mbi qeverinë, qeveria rrjedhimisht nuk bie përderisa nuk rrëzohet me procesin e votimit me dy të tretat e votave, respektivisht 80 vota dhe në raundin e tretë nëse kandidatja për presidente merr më pak se 60 vota mund të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme brenda 45 ditësh”, ka thënë Fetahu.
Ai ka thënë se me aktgjykimin e vitit 2011 të Gjykatës Kushtetuese në rastin e zgjedhjes president të Behgjet Pacollit, është krijuar një praktikë e re që për tu zgjedhur presidenti ose presidentja e re duhet të ezaurohen të gjitha kushtet e parapara në atë aktgjykim.
Sipas tij, kjo nënkupton që seanca për zgjedhjen e postit më lartë në vend nuk mund të fillojë pa e pasur kuorumin prej 81 deputetësh të pranishëm në sallë.
“Nëse dështon zgjedhja e zonjës Osmani, nëse nuk shkohet në proces të rregullt atëherë besoj që mbetet në vullnetin politik të mazhorancës të tentojë ta gjejë një zgjidhje apo mund të shkohet me kërkesë në Kushtetuese për ta sqaruar situatën e re në të cilën ndodhemi pasi veçantitë e Kushtetutës nuk japin edhe shumë detaje rreth këtyre proceseve sidomos me dy ushtrues detyrë të njëpasnjëshëm”, është shprehur Fetahu.
Ai ka thënë se qëndrimi në sallë në ditën e votimit për pozitën e presidentit konsiderohet votë pro sepse siç ka thënë llogaritet që Qeveria i ka votat për ta zgjedhur atë e që janë 61 vota.
“Nëse nuk shkohet në bazë të procedurës së rregullt me dy të tretat me praninë në sallë, nuk mund të shkohet në zgjedhje pasi nuk krijohen kushtet për mbajtjen e seancës për zgjedhjen e presidentit dhe rrjedhimisht vazhdon punën Qeveria por pastaj duhet të shihen mundësitë për gjetjen e një konsensusi për raundin tjetër, por në bazë të aktgjykimit nuk shkohet në zgjedhje nëse nuk ezaurohet e gjithë procedura siç është përcaktuar në aktgjykimin e vitit 2011, pra edhe për ta rrezuar këtë Qeveri duhet të jenë në sallë 2/3 e deputetëve”, ka thënë Fetahu.