Kushëriri i ish-presidentit Hashim Thaçi, Milazim Thaçi, i cili njëherësh është edhe i mbijetuar i masakrës së Izbicës, ka folur për ish-krerët e UÇK-së të cilët gjenden në Hagë.
Ai ka thënë se e ka përjetuar rëndë shkuarjen e Hashim Thaçit në Gjykatës Speciale.
“Unë që e kam parë tmerrin me sy dhe duke e parë se UÇK-ja ka vepruar për të larguar Serbinë nga këtu, me ndihmën e Amerikës normalisht, e të vije kjo ditë t’i shoh këta tanët në Hagë, ma rëndë s’ka më…”, ka thënë Thaçi.
Ai ka thënë se edhe prindërit e ish-presidentit e kanë përjetuar keq shkuarjen e Thaçit në Hagë, duke thënë se nuk janë mirë as me shëndet.
“Të dy prindërit si prindi më, nuk janë mirë as me shëndet, të dy të sëmurë. Babain e ka ende në spital, nëna tash e kanë lëshuar nga spitali, por është e rëndë”, ka thënë Thaçi.
Ai është përlotur duke treguar se i ka nëntë fëmijë, e gjashtë prej tyre jetojnë jashtë vendit, duke thënë se ka pritur që në Kosovë të bëhet më mirë e që rinia të mos largohet nga vendlindja.