Mediat vendore të premten kanë raportuar se Lëvizja Vetëvendosje ka filluar t’i mbledhë nënshkrimet për seancë të jashtëzakonshme për votimin e Vjosa Osmanit presidente.
Por, zëdhënësi për medie i kësaj partie, Arlind Manxhuka, ka thënë se nuk është i informuar.
“Mediat po raportojnë, por unë nuk jam i informuar. Akoma nuk mund të them diçka zyrtare”.
Sipas mediave, seanca pritet të mbahet sot (e premte).
Lëvizja Vetëvendosje fillimisht duhet ta dorëzojë kërkesën për seancë të jashtëzakonshme në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës, të cilët pastaj vendosin për mbajtjen e seancës.
Vjosa Osmani aktualisht është kandidatja e vetme për presidente të vendit. Ajo në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit ka garuar në listë të përbashkët me LVV-në. Kjo e fundit ka arritur të marrë mbi 50 për qind të votave, ndërsa Osmani ishte më e votuara me mbi 300 mijë.
Për të zgjedhur presidentin, në votimin e tretë duhet të jenë 80 vota minimum, me 61 prej tyre pro një kandidati. Vetëvendosje ka 58 vota, ndërsa pritet t’i ketë edhe 8 të tjera nga minoritetet jo shumicë. Bashkë me to, i duhen minimum 14 vota nga LDK-ja për të siguruar kuorumin e nevojshëm.