Rasti i kontrabandës në Karaçevë, ish-gjenerali Ramadan Qehaja ka një pyetje

Aktuale

Rasti i kontrabandës në Karaçevë, ish-gjenerali Ramadan Qehaja ka një pyetje

Nga: A.Zh Më: 2 prill 2021 Në ora: 16:54
Ramadan Qehaja

Eksperti i çështjeve të sigurisë Ramadan Qehaja, ka folur për rastin e lojërave të fatit dhe të kontrabandës në brezin kufitar Kosovë-Serbi në fshatin Karaçevë e Poshtme.

Ish-gjenerali ka thënë se për këtë rast, janë ndaluar një numër jo i vogël i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Por, Qehaja ka pyetur se si është e mundur që në rastin e veprave korruptive të zyrtarëve policorë për një kohë të gjatë, nuk pati përgjegjësi komanduese-drejtuese në këtë rast, përcjell Bota sot.

Sipas ekspertit, rasti i implikimit negativ të një pjese të policisë së Kosovës në këtë rast, duhet të jetë alarm për fillimin e përmirësimit të sistemit të menaxhimit me Policinë e Kosovës

Postimi i tij i plotë në Facebook:

Rasti i lojërave të fatit dhe të kontrabandës në brezin kufitar Serbi-Kosovë në fshatin Karaçevë e Poshtme

Rasti i ndërprerjes së lojërave të fatit në vitin 2019 në afërsi të fshatit Karaçeva e Poshtme përgjatë vijës kufitare Serbi-Kosovë nga drejtimi i Bujanovcit që shpie në Tërrnovc e Breznicë, është rast ekllatant i mos luftimit të veprimeve korruptive për një kohë të gjatë nga institucionet kompetente.

Duke mos dashur të hyjë në analizë më të thellë të kësaj dukurie korruptive, dëshiroj të theksoj se si në vitin 2019 ashtu edhe tani janë ndaluar edhe një numër jo i vogël i zyrtarëve policorë, ata në vazhdimësi kanë ndihmuar, fshehur dhe nuk kanë penguar kryerjen e këtyre veprave korruptive duke shmangur kontrollin doganor etj. Së fundmi u ndaluan edhe tre policë. Kuptohet se ndaj tyre do te ndërmerren masat adekuate ligjore.

Mirëpo, si njohës i fushës së sigurisë, bëj pyetje publike se si është e mundur që në rastin e veprave korruptive të zyrtarëve policorë për një kohë të gjatë, nuk pati përgjegjësi komanduese-drejtuese në këtë rast. Kuptohet se përgjegjësia konsiston në faktin se ajo deri më tani (publikisht) nuk u theksua, duke nënkuptuar prej drejtorit të policisë së Kosovës, komandantit të stacionit policor të regjionit të Gjilanit dhe komandantit të stacionit policor të Kamenicës. Kjo aq më parë që po të kishte pasur kontrollë të vazhdueshme të kryerjes së detyrave konkrete të çdo polici, përkatësisht patrulle policore nga lart-poshtë, nuk do të mund të ndodhnin këto dobësi ose së paku ato do të ishin zbuluar më herët dhe do të ishin ndërmarrë masa parandaluese etj.

Rasti i implikimit negativ të një pjese të policisë së Kosovës në këtë rast dhe në disa raste tjera, duhet të jetë alarm për fillimin e përmirësimit të sistemit të menaxhimit me Policinë e Kosovës e në veçanti duke bërë ndryshime kadrovike në sistemin e udhëheqjes, drejtimit dhe komandimit në këtë strukturë shumë të rëndësishme për sigurinë tonë.

R.Q

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat