(E plotësuar 21:31) - Me gjashtë vota për, Komisioni për Legjislacion ka miratuar projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme.
I njëjti i është proceduar Kuvendit për shqyrtim prej orës 21:30.
Ndërsa për rreth 1 orë është zhvilluar një debat mes deputetëve të pozitës dhe opozitës.
Deputetët e pozitës dhe opozitës përplasen për Ligjin për Zgjedhje
Komisioni për Legjislacion është mbledhur për të diskutuar rreth çështjes së Ligjit për Zgjedhje.
Deputetët e pozitës u munduan të arsyetojnë këtë projektligj, mirëpo ishin ata të opozitës të cilët nuk u pajtuan me mënyrën se si Qeveria e procedojë këtë projektligj.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa në Komisionin për Legjislacion tha se nuk e kupton pse duhet të ketë një ligj zgjedhor me seanca të jashtëzakonshme.
"Jo në këtë formë me thirr komisionin për konstituua komisionin. Ne nuk duam të bojkotojmë punën e kuvendit. Nëse nuk jeni të aftë me menaxhua pandeminë atëherë thoni le të shkojmë në zgjedhje. Kemi nevojë për reformë zgjedhore. Pse ligji i zgjedhjeve me seancë të jashtëzakonshme nëse e keni me shantazhua opozitën po shkojmë në zgjedhje", tha Beqa.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi theksoi se ky projektligj korrigjon një vonesë të madhe.
"Deputeti i kuvendit bukë është në marrëdhënie pune ku ka orar. Pasdite ne duhet të jemi në krye të detyrës. Më herët ka qenë praktikë që te mos mbahen mbledhje fare. Që shtatë vite ky projektligj sillet në sirtarët e këtij institucioni. Kjo iniciativë është për tu përshëndetur, pavarësisht se jemi vonë", shtoi ai.
Beqa është kundërpërgjigjur duke thënë se kjo çështje është pa përgjegjësi e qeverisë.
"Për momentin kemi kaluar një proces zgjedhor. Nëse ne duam të shkojmë në zgjedhje atëherë po e amandetojmë këtë ligj", tha ai.
Pas një diskutimi që zgjati disa minuta deputetët e PDK-së e kanë lëshuar mbledhjen.
Mblidhet Komisioni për Legjislacion për shqyrtimin e Ligjit për Zgjedhje
Pas miratimit në Qeverinë e Kosovës të propozimeve për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje dhe procedimin e tij në Kuvend, është mbledhur Komisioni për Legjislacion.
Në rend dite të kësaj mbledhjeje është vetëm Shqyrtimi në parim i ndryshimit të Ligjit për Zgjedhje.
Blerta Deliu nga Partia Demokratike e Kosovës është ankuar gjatë mbledhjes për shkelje të rregullores së punës për mbledhjet e Komisionit, dhe ka kërkuar nga kryetari të dijë se si e ka thirr këtë seancë pa pasur një vendim paraprak të kryesisë.
Kryetari i Komisionit, Adnan Rrustemi i është kundërpërgjigjur duke thënë se gjithçka është në rregull me rregulloren e punës.
***
(19:20) - Qeveria e Kosovës ka miratuar ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet në Republikën e Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha me këtë rast se ndryshimet në këtë ligj ia mundësojnë diasporës që të votojnë nëpër ambasada dhe konsullata të Republikës së Kosovës.
Kurti po ashtu tha se Ligji garanton të drejtën e votës për të gjithë qytetarët e Kosovës.
“Ky projektligj nuk është i ri, ai është një gjë që është iniciuar edhe në Legjislaturën e gjashtë, ka vazhduar edhe në legjislaturën e shtatë ku është përkrahur miratimi i tij dhe tani ne po e miratojmë ne Qeveri për ta proceduar më tej në Kuvend. Është garantues për të drejtën e votës për të gjithë qytetarët dhe e mundëson votimin e diasporës në ambasada dhe konsullata të Kosovës”, ka thënë Kurti.
Në orën 19:00, Qeveria jep mendimin për Ligjin për Zgjedhjet
Në orën 19:00 do të nisë mbledhja e re e Qeverisë së Kosovës.
Në të pritet të votohet mendimi për Ligjin për Zgjedhjet, pas iniciativës së Vetëvendosjes për ndryshim të tij.
Lajmin e ka konfirmuar edhe kryeministria, përmes një komunikate për media, ku ka treguar agjendën e kryeministrit Albin Kurti.
Pas kësaj, hapet rruga për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit për votimin e ndryshimeve.