Glauk Konjufca hedh poshtë pretendimet e LDK-së, tregon në cilat raste vendi shkon në zgjedhje të reja

Aktuale

Glauk Konjufca hedh poshtë pretendimet e LDK-së, tregon në cilat raste vendi shkon në zgjedhje të reja

Nga: A.Morina Më: 2 prill 2021 Në ora: 19:57
Glauk Konjufca

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Galuk Konjufca ka reaguar ndaj deklaratave të partive opozitare ndaj vendimit për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Konjufca atyre që e cilësuan këtë vendim të ngutshëm, ia rikujtoi se këtë iniciativë e për herë të parë VV e kishte ngritur në vitin 2014. Madje, ai hodhi poshtë pretendimet se ky ligj ka lidhje me zgjedhjen e presidentes.

“Ky ligj i nevojshëm s'ka lidhje me zgjedhjen e Presidentes. Si mund të thotë LDK-ja që ky Ligj është shantazh për zgjedhjen e Presidentes!? Ajo si parti para pak ditësh zyrtarisht ka marrë vendim që do të qëndrojë në sale”, deklaroi kryetari i Kuvendit të Kosovës, përcjell “Bota sot”.

Konjufca tregoi se në cilat variante Kosova shkon në zgjedhje të reja.

Postimi i plotë

Askush nuk e ka pritur që kundërshtimi i të drejtave të mërgatës sonë të shkojë në këtë nivel që po e shohim. Së paku në këtë çështje kam pritur konsensus të natyrshëm të partive tjera me VV-në. Ky ka qenë njëri prej qëllimeve të kahmotshme të secilit: që mërgimtarët tanë të votojnë nëpër ambasadat e konsullatat e shtetit tonë. Çka ka të keqe këtu!? Këto kundërshtime janë tronditëse për mërgimtarët tanë të cilët qe 20 vite e presin këtë vendim të rëndësishëm. Si mund te quhet "kapje e shtetit" një ndryshim që ia mundëson mërgimtarëve tanë një të drejtë të mohuar padrejtësisht?

Po shoh po ashtu se këtë nismë po e quajnë të "ngutshme". Si mund të jetë e ngutshme një iniciativë e cila është ngritur për herë të parë nga VV-ja ne Komisionin për Legjislacion në vitin 2014? Prej asaj kohe është ngritur e ringritur disa herë. Asnjëherë nuk ka kaluar. Tash mund të kalojë meqë qytetarët kanë votuar për ndryshim.

Ky ligj i nevojshëm s'ka lidhje me zgjedhjen e Presidentes. Si mund të thotë LDK-ja që ky Ligj është shantazh për zgjedhjen e Presidentes!? Ajo si parti para pak ditësh zyrtarisht ka marrë vendim që do të qëndrojë në sallë. Ky është një qëndrim shumë i pjekur e racional në përpjekje për stabilitetin institucional të Kosovës të cilin e përshëndesim. Të drejtat e domosdoshme të mergatës sonë nuk janë shantazh për askënd. Është për të mirën e popullit tonë që jeton jashtë Kosovës.

Gjithçka është e qartë: Kosova shkon në zgjedhje vetëm dhe VETËM nëse ata të cilët mungojnë në seancën e zgjedhjes së Presidentes janë më shumë se 40. Vetëm ATA e marrin përgjegjësinë e zgjedhjeve të reja dhe askush tjetër. Ata të cilët e duan shtetin dhe republikën më shumë se veten, i kanë 3 opcione: a) e votojnë Vjosën; b) e qesin kundërkandidatin e tyre dhe e votojnë atë; c) votojnë kundër Vjosës. Kurse ata që duan bojkot e obstruksion - vetëm ata duan zgjedhje në Kosovë. E qartë si drita e diellit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat