Dështon përpjekja e VV-së për Ligjin për Zgjedhjet në Kuvend

Aktuale

Dështon përpjekja e VV-së për Ligjin për Zgjedhjet në Kuvend

Nga: Bota sot Më: 2 prill 2021 Në ora: 20:20

(E plotësuar 22:15) - Propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje, i ndryshimit të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i aprovuar në Komisionin Legjislativ, nuk ka arritur të kalojë në Kuvendin e Kosovës.

Me 39 vota kundër, në procedurë të shpejt, ky projektligj nuk arriti të kalojë fillimisht në Kuvend.

Prezent në sallë ishin 65 deputetë.

“E konfirmojmë që për propozimin kanë votuar 65 deputetë, kundër kanë qenë 39. Sipas Administratës së Kuvendit 2/3 e kësaj kanë qenë 69 deputetë kështu që konstatoj se nuk ka kaluar ky propozim”, deklaroi Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

“Sipas procedurave parashihet që ky projektligj të marrë rrugën e tij të shqyrtimit të zakonshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, theksoi Konjufca.

Lëvizja Vetëvendosje, me këtë, ka refuzuar kërkesën e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), për tërheqjen e iniciativës së ndryshimit të Ligjit për Zgjedhje, e cila shënon mos-prezencën e kësaj të fundit në votimin e presidentit.

Kreu i LDK’së, Lumir Abdixhiku, në konferencë për media bëri thirrje që VV’ja të tërhiqet nga kjo iniciativë.

“Në emër të LDK’së, iu bëj thirrje kryeministrit Kurtit dhe shumicës parlamentare që të heqin dorë nga ky shantazh i sotëm në raport me opozitën e vendit. Kërkojmë ky ligj të tërhiqet, nëse nuk tërhiqet ky ligj, atëherë kryeministri Kurti na dërgon në zgjedhje”, deklaroi ai.

Shumica parlamentare, në seancën e radhës, pritet ta propozojë presidentin për votim, në mënyrë të konstituimit të institucioneve.

***

Ndryshimet në Ligjin për Zgjedhjet nuk kanë kaluar në mënyrë të përshpejtuar në Kuvendin e Kosovës.

Me 65 vota pro, e 39 kundër është pamundësuar që të arrihet 2/3 e votave të kërkuara që shqyrtimi i ndryshimeve në Ligjin për Zgjedhje të bëhet me procedurë të përshpejtuar.

Tani do të duhet një seancë tjetër që të vijë në rend dite ky projektligj.

***

Ramush Haradinaj i drejtohet Kurtit e VV-së: Çfarë zori keni?

Deputeti i AAK’së në Kuvend, Ramush Haradinaj, ka pyetur kryeministrin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje se cfarë zori kanë që po e sjellin këtë ligj në këtë formë për ta kaluar në Kuvend.

Madje Haradinaj i bëri be Kurtit duke e pyetur pse nuk po sjellët ky ligj në javën tjetër me procedurë të rregullt?

“Unë kam një pyetje për Kurtin dhe për VV’në, a mundeni me na tregu çfarë zori keni që po e vjedhni këtë ligj e po e sjellni natën, të premten në mbrëmje. Pse nuk e sillni javën tjetër në procedurë të rregullt?”, është shprehur Haradinaj.

Tutje, Haradinaj pyeti se cfarë zori kanë pozita dhe ku po ju dhemb?

“Më tregoni pashë zotin çfarë zori keni? Ku po ju dhemb? Një zor duheni me e pasë. Nëse ju e keni atë zor jemi në gjendje me ju ndihmu me atë zor, por mos ia bëni Kosovës këtë”, shtoi Haradinaj.

***

Abdixhiku Kurtit: Mos bëj shantazh – mos na dërgo në zgjedhje

“Duhet të punojmë bashkërisht për këtë ligj, dhe jo vetëm aq. Për të gjithë reformën. Jemi në një vijë e në një drejtim me këtë. Mos e përdor si shantazh. Do t’i bëjmë të gjitha. T’i formojmë fillimisht institucionet e t’i japim vendit stabilitet. Të merremi me pandemi e vaksinim të qytetarëve e rimëkëmbje ekonomike. Të krijojmë qetësi për njerëzit tanë. Opozita nuk nënshtrohet Albin. Gabohesh nëse konstruktivitetin tim e të LDK-së e ke keqkuptuar”, ka deklaruar kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku drejtuar kryeministrit Albin Kurti në Kuvend.

Abelard Tahiri: Po tentohet të shkohet në zgjedhje të reja

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje me procedurë të përshpejtuar, përderisa opozita ka dalë kundër.

Abelard Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të PDK-së, ka thënë se me tentimin e tillë VV-ja po dëshiron zgjedhje të reja.

Ai ka thënë se reformat e tilla zgjedhore në çdo vend të botës nisen nga partitë opozitare e jo nga pushteti.

Sipas tij, iniciativa e VV-së është për të çuar vendin drejt një sistemi totalitar.

Nga LDK-ja ka folur kryetari i saj, Lumir Abdixhiku. Ai e ka quajtur të papërgjegjshme e të paprecedent iniciativën e Qeverisë.

***

Ka nisur seanca në Kuvend, ku do të diskutohet për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet.

***

Deputetët e partive opozitare, PDK, LDK dhe AAK, janë futur tashmë në sallën e Kuvendit që është thirrur për t’u votuar ndryshim i Ligjit për Zgjedhje. Në sallën e Kuvendit aktualisht janë 40 deputetë nga opozita.

Partitë opozitare pritet të votojnë kundër këtij ligji. Enver Hoxha i PDK’së ka thënë se me këtë veprim Kurti po tenton të ngulfat demokracinë.

Ndërsa i pari i LDK’së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se Kurti tentoi ta shantazhojë opozitën. Ai gjithashtu tha se nëse Kurti nuk e heq këtë propozim, i pari i qeverisë po e çon vendin në zgjedhje.

Vetëvendosje ka refuzuar këtë kërkesë të Abdixhikut dhe po vazhdon me tentativën për të kaluar këtë ligj.

Ja kur pritet të mbahet seanca për ndryshimin e Ligjit të Zgjedhjeve 

Kryetari i Komisionit për Legjislacion të Kuvendit të Kosovës, Adnan Rrustemi, e ka konfirmuar në mbledhjen e mbajtur nga ky komision se seanca për ndryshim të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme do të mbahet nga ora 21:30.

Anëtarët e partive opozitare të këtij komisioni janë larguar në gjysmë të kësaj mbledhjeje.

LDK-ja, në konferencën e mbajtur sot, ka paralajmëruar që nuk do jetë pjesë e seancës për votim të presidentes, në rast se nuk tërhiqet propozimi për Ligjin e Zgjedhjeve të Përgjithshme.

***

Seanca e radhës në Kuvendin e Kosovës për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme pritet të mbahet nga ora 21:00.

Një gjë të tillë e kanë bërë të ditur burime të medias, derisa është njoftuar edhe se janë shtuar pakënaqësitë nga subjekti opozitar LDK për votimin e presidentit.

Nga Lëvizja Vetëvendosje, nuk është parë si kërcënim një propozim për ndryshim të këtij ligj. Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, ka thënë se ndryshimi i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme ka qenë në kuadër të premtimeve të këtij subjekti politik.

"Ne jemi në pritje të konstruktivitetit të subjekteve politike, në ndërkohë ne e kemi bërë një zotim se do ta ndryshojmë ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, ku jemi zotu që mërgatës të votohet shumë më lehtë në të ardhmen. Presim subjektet e tjera ta kryejnë obligimin kushtetues.

Ata kanë dhënë një zotim para se me ndodh kjo, unë mendoj që të gjitha subjektet e tjera politike duhet ta kenë prioritet ndryshimin e këtij zgjedhje, sepse vërtetë kemi obligim ndaj bashkatdhetarëve tanë. Nuk do të ishte mirë të shihej si kërcënim, kjo është në kuadër të zotimeve tonë", deklaroi Kollçaku.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat