Lëvizja Vetëvendosje po synon që sonte ta ndryshojë Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Kryetari i Komisionit për Legjislacion të Kuvendit të Kosovës, Adnan Rrustemi, e ka konfirmuar se seanca për ndryshim të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme do të mbahet nga ora 21:30.
E Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka paralajmëruar se vendi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, nëse Vetëvendosje nuk e tërheq këtë iniciativë.
Por, sipas deputeti të listës së Vjosa Osmanit, Haxhi Avdyli, zgjedhjet në Kosovë do të mbahen pas 4 vitesh.
“E riamendamentojmë Ligjin për zgjedhjet, e nesër e votojmë Vjosën për Presidente. Ska zgjedhje, krijohet stabiliteti institucional. Opozita konsolidohet, Qeveria vazhdon punën. Zgjedhjet bëhen pas 4 vitesh , me reformë të thellë zgjedhore. Kaq”, ka shkruar Haxhi Avdyli, përcjellë “Bota sot”.