Ish deputeti nga radhët e LDK-së, Naser Rugova, pas ardhjes së Lumir Abdixhikut në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës, e kishte kritikuar shpeshherë për qasjen e tij ndaj deputetëve.
Mirëpo, Rugova tani përmes një shkrimi në Facebook, thotë se e përkrah dhe fjalimi i Abdixhikut në Kuvendin e Kosovës ishte i drejtë dhe i qëlluar.
Tutje, anëtari i LDK-së i bën me dije kreut të partisë se duhet të punojë shumë për unifikim të vërtetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Ja shkrimi i tij:
Fjalimi i Lumirit në Kuvend ishte i drejtë dhe i qëlluar dhe unë, si anëtar i LDK-së dhe si delegat i Kuvendit të Përgjithshëm, e përkrah plotësisht. Shpresoj po ashtu ta ketë kuptuar se presioni mbi deputetët tanë ishte joparimor. Vetëm përkushtimi i sinqertë për bashkëpunim e dialog të brendshëm, dmth përafrimi i atyre që mendojnë ndryshe, e bën LDK-në faktor real dhe jo konstruktiviteti imagjinar që duket bukur në rrjete sociale dhe studio televizive.
Lumir, obligimin kryesor e ke ndaj anëtarësisë tënde, pastaj ndaj të tjerëve, prandaj puno e angazhohu për unifikim të vërtetë.
LDK ka pësuar shumë nën udhëheqjen e atyre që kanë dashur të punojnë vetëm me servila dhe kanë përjashtuar ata që kanë menduar ndryshe. Mos shko hapave të tyre! Të jesh i sigurt se në punë të mira gjithnjë do të jemi me ty, e në ato të tjerat do të vazhdojmë të të sfidojmë pa menduar dy herë.