Parlamenti i Kosovës ka nisur dje procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, dhe Vetëvendosje nëpërmjet Albin Kurtit e ka bërë të qartë, se nëse Parlamenti i sotën nuk e zgjedh Presidentin e vendit, Kosova shkon në zgjedhje.
Një operacion “blitz” në dukje, por që politikisht përbën një shtyllë të qartë parimore të mazhorancës së re, që nuk mund të ketë një qeverisje pa arritur që vendi të mos konstituojë institucionet bazike të saj.
E Kosova, prej nëntorit është pa President të Republikës, një post që sipas Kushtetutës, përveç se figurë e parë e shtetit është dhe kryekomandati i Ushtrisë dhe udhëheqësi i diplomacisë.
E këtë objektiv politik, Albin Kurti e ka shpallur si betejë: o zgjedhim Presidentin, o zgjedhje, pra nuk ka lojra.
Realisht është një objektiv që më shumë se i tillë duhet të jetë një detyrim kushtetues për çdo forcë politike që e konsideron veten serioze dhe shtetformuese.
Vetëvendosje, siç dihet, i ka të gjitha mundësitë për ta kryer qetësisht seancën e votimit të Presidentit, por e ka bërë një betejë politike, ngaqë e tillë duhet të jetë.
Opozita, realisht, nuk ka se përse ta bllokojë procesin vetëm se duhet të jetë pjesë e zgjedhjes së Presidentit me një kandidaturë që të japë konsensusin.
Zgjedhjet e 14 shkurtit kanë dhënë një mazhorancë solide, krejt të re që si mesazh kanë rinovimin total të klasës politike të vendit. Dhe si përçuese e këtij mesazhi, Vetëvendosje ka dalë me propozimin për Vjosa Osmanin. Ish-kreun e Kuvendit, politikanen që në dy zgjedhje rresht, ato të 6 tetorit 2019 dhe të 14 shkurtit 2021 ka qenë bartëse e listës së LDK-së dhe Vetëvendosjes dhe ka qenë personi më i votuar në tërë Kosovën.
Pra Vjosa Osmani është logjikisht një kandidate e denjë për kryetare e shtetit, aq më shumë që edhe e ka ushtruar atë detyrë pas dorëheqjes së Hashim Thaçit.
E këtu Vetëvendosje, është pozicionuar ballazi përpara zgjedhësve, duke bërë të ditur se është gati që të dalë para tyre, nëse do të ketë bllokim të procesit. Ky nuk është një veprim i krisur, natyrisht është i fortë, por i hapur dhe i drejpërdrejt.
E në këtë pikë, Vetëvendosje ka propozuar dje ndryshimet në ligjin zgjedhor, çka i jep diasporës mundësi për të votuar në konsullatat e Kosovës dhe çliron mënyrën e numërimit të votës së diasporës.
Pra jemi me letra të hapura: kush bllokon zgjedhjen e Presidentit të Kosovës do të marrë kostot politike.
LDK, në bazë të deklaratës së kryetarit të saj Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se nuk do ta bojkotojë seancën e zgjedhjes së Presidentit, qëndrim që është marrë me shumicë votash, që e konfirmoi edhe Lutfi Haziri. Por disa media të klikës së vjetër në Prishtinë bëjnë të ditur se do të ketë deputetë të LDK-së që mund ta bojkotojnë seancën.
Vetëvendosje ka 58 deputetë dhe 15 LDK bëjnë 73 plus 10 të pakicës jo serbe numri shkon 80, sa dhe ç’duhet kuorumi.
PDK ka bërë të ditur se do ta bojkotojë seancën, njëjtë edhe Ramush Haradinaj, të cilët duket se “rastësisht” kanë dakortësinë e Listës Serbe për ta bojkotuar seancën. Gjë që njerëzit e Vuçiçit e bënë edhe dje. Të paktën politikisht. Në dukje gjërat duken në “fije të perit”, por që sipas të gjitha gjasave Albin Kurti e ka siguruar realisht kuorumin.
Megjithatë, forca politike që dëmtohet më shumë nga një përplasje politike e tillë është LDK-ja. E cila prej një viti humbi 30% të votave, vetëm nga rrëzimi i qeverisë “Kurti” të cilën votuesit e LDK-së e kishin zgjedhur me vullnet të lirë. Dhe më 14 shkurt, një pjesë e rëndësishme e votuesve të LDK-së nuk kishin asnjë dilemë, por votuan për Vjosa Osmanin, siç kishin bërë më 6 tetor 2019. E ky është një sinjal që shikohet qartë në të gjithë hartën politike të Kosovës: në asnjë komunë të vendit, LDK nuk është më forcë e parë, por e tretë dhe diku dhe e katërt.
Ky pozicion mund edhe të përkeqësohet nëse do të vijojë ajo logjikë politike që ish-ministri Zemaj e shpalosi sot në Kuvend. Votuesit e LDK-së, janë për një ndryshim politik në vend, që e shprehën me votë, e këtë s’mund ta kthejë më askush. Vjosa Osmani është realisht njeriu më i preferuar në të gjithë komunitetin e ish-partisë së Ibrahim Rugovës. Osmani, me finesë ka hequr dorë nga politika, duke pranuar një post institucional, ku ka qenë sapo ka mbaruar studimet si ndihmëse e Fatmir Sejdiut, të cilin e njeh më mirë se kushdo.
Duke ua lënë të lirë përfaqësuesve të të gjitha brezave në LDK që të garojnë lirshëm për karrierën e tyre. Vjosa, tashmë nuk i përket LDK-së, ajo nuk ka çfarë i merr asaj partie, ku Isa Mustafa, para një viti e zboi me agresivitet, shkruan Pamfleti. Ka vendosur të drejtojë shtetin, e kaq detyrim LDK e ka ndaj Vjosës për t’i shpërblyer kontributin. Pa dhënë asgjë më shumë, përkundrazi përfitimet janë edhe të mëdha, duke nisur edhe nga pjesa politike që Vjosa e mori më 14 shkurt…