Sot është thirrur edhe zyrtarisht mbledhja e kryesisë së Kuvendit ku pritet të caktohet seanca për zgjedhjen e presidentit.
Në njoftimin e Kuvendit, bëhet e ditur se Kryesia është mbledhur në ora 15:00.
“1. Kërkesa e 41 deputetëve për thirrjen e Seancës së jashtëzakonshme për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës”, është pika e vetme e rendit të ditës.
Po ashtu, media merr vesh se seanca e Kuvendit për zgjedhjen e presidentit pritet të caktohet për në ora 18:00.
LDK-ja ka deklaruar se do të marrë pjesë në votim, por te grupi i saj parlamentar ka pikëpyetje nëse disa deputetë do të respektojnë vendimin e kryesisë së partisë.
E lidhur me këtë, media ka kontaktuar me deputeten Vlora Dumoshi, për ta pyetur se a do të marrë pjesë në seancën ku pritet të votohet presidenti i ri i Kosovës.
E njëjta ka thënë se deri më tani nuk ka informacione se do të mbahet kjo seancë.
“Nuk kemi info deri më tani”, tha shkurt Dumoshi.