Analisti i njohur, Ben Andoni i pranishëm në studion e Euronews Albania u shpreh se beson që Vjosa Osmani do të votohet si presidente e Kosovës.
Ai tha se zgjedhja e Osmanit do ishte alternativa e duhur, në mënyrë që Kosova të mos shkonte sërish në zgjedhje.
“Besoj që duhet arritur logjikisht për arsyen e vetme se barra e Kosovës për një palë zgjedhjesh në kohë pandemie është tmerrshme, ka kosto të madhe”, tha analisti.
Sa i takon vonesave në nisjen e seancës dhe plotësimin e kuorumit, z. Andoni theksoi se prezenca e 84 deputetëve në Kuvend është arritur edhe falë përpjekjeve që kanë bërë ambasadorët vendeve të QUINT-it, siç janë Gjermania, Franca, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Më duket normale për paqartësinë e Kosovës. Me sa duket, me çfarë kemi kontrolluar në lajme është shumë e vështirë për të gjetur një modus mes deputetëve dhe në këto dy orë është punuar shumë nga përfaqësuesit e QUINT-it për të siguruar pjesëmarrjen e gjerë”, tha ai.