Ka përfunduar raundi i parë i votimit për president të vendit, ku në votim kanë marrë pjesë 81 deputetë. 69 vota ishin për kandidaten Vjosa Osmani, asnjë votë për kandidatin Nasuf Bejta dhe 12 vota të pavlefshme.
Tashmë pritet të nis votimi për raundin e dytë për të zgjedhur të parin e shtetit, ndërsa duhet të konsumohen tri raunde për përmbylljen e procesit të zgjedhjes së presidentit.
Seanca për zgjedhjen e presidentit të Kosovës ka nisur ditën e djeshme, por që për shkak të mungesës së kuorumit dy herë është përsëritur raundi i parë i votimit.
Në votimin e parë kanë marrë pjesë 78 deputetë, ndërsa në të dytin 79. Sikurse sot, edhe gjatë ditës së djeshme në votim nuk kanë marrë pjesë tre deputetët e LDK-së, Avdullah Hoti, Agim Veliu e Driton Selmanaj.
Sot në votim kanë marrë pjesë edhe deputetët nga pakicat jo serbe Adem Hoxha dhe Fadil Gashi, e që të dy dje nuk kishin marrë pjesë në seancë.