​Raundi i dytë i votimit për president, sërish Osmani nuk merr votat e nevojshme

Aktuale

​Raundi i dytë i votimit për president, sërish Osmani nuk merr votat e nevojshme

Më: 4 prill 2021 Në ora: 18:57
Kuvendi i Kosovës

As në raundin e dytë nuk është arritur që të zgjidhet presidenti i vendit. Në votim kanë marrë pjesë 82 deputetë, ku 67 vota ishin për kandidaten Vjosa Osmani, 4 vota për kandidatin Nasuf Bejta dhe 11 vota të pavlefshme.

Ka përfunduar raundi i dytë i votimit për president të vendit, ku në votim kanë marrë pjesë 82 deputetë. 67 vota ishin për kandidaten Vjosa Osmani, 4 vota për kandidatin Nasuf Bejta dhe 11 të pavlefshme.

Në raundin e parë 69 vota ishin për kandidaten Vjosa Osmani, asnjë votë për kandidatin Nasuf Bejta dhe 12 vota të pavlefshme. Tashmë ka nisur votimi për raundin e tretë për të zgjedhur të parin e shtetit.

Seanca për zgjedhjen e presidentit të Kosovës ka nisur ditën e djeshme, por që për shkak të mungesës së kuorumit dy herë është përsëritur raundi i parë i votimit. Në votimin e parë kanë marrë pjesë 78 deputetë, ndërsa në të dytin 79. Sikurse sot, edhe gjatë ditës së djeshme në votim nuk kanë marrë pjesë tre deputetët e LDK-së, Avdullah Hoti, Agim Veliu e Driton Selmanaj.

Sot në votim kanë marrë pjesë edhe deputetët nga pakicat jo serbe Adem Hoxha dhe Fadil Gashi, e që të dy dje nuk kishin marrë pjesë në seancë. Në votim ka marrë pjesë edhe deputetja e PDK-së Adelina Grainca, e cila nuk kishte marrë pjesë në votimin e parë. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat