Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një postimi në Facebook ka shkruar se më 5 prill të vitit 1999, forcat e regjimit serbë kanë rrethuar shtëpitë dhe fshatin, kështu duke ndarë nga gratë, nënat e motrat.
Osmani më tej ka shkruar se 44 nga civilët të vrarë ishin të pagjetur, por që pas disa vite një pjesë e trupave u gjetën në Rudnicë të Rashkës.
Tutje ka shtuar se nuk do të ndalemi së kërkuari vendosjen e drejtësisë për njerëzit tanë, përcjell "Bota sot".
Postimi i plotë:
Drejtësi për Rezallën!
Në Rezallë, më 5 prill të vitit 1999, forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë rrethuan shtëpitë e fshatit, ndanë nga gratë, nënat e motrat, 98 djem e burra dhe i ekzekutuan mizorisht.
44 nga këta civilë të vrarë ishin të pagjetur. Disa vite më pas një pjesë e trupave u gjetën në Rudnicë të Rashkës.
Tre të mbijetuarit dhe trupat e të vrarëve të gjetur në varreza masive në Serbi ishin dëshmi e fuqishme e krimeve makabre të kryera nga regjimi serb.
22-vjet pas, nevoja për drejtësi riaktualizohet, duke u bërë përpjekje e vazhdueshme e institucioneve të vendit. Ne nuk do të ndalemi së kërkuari vendosjen e drejtësisë për njerëzit tanë sepse ata u privuan nga jeta, vetëm pse ishin shqiptarë. Liria dhe paqja kanë kuptim vetëm kur përgjegjësit dhe ekzekutuesit të vihen para drejtësisë!
Masakra e Rezallës është dhimbje e jona e vazhdueshme, kujtesë historike dhe sakrifica për lirinë e vendit!
Qoftë i përhershëm kujtimi për 98 të vrarët në Masakrën e Rezallës!