Armend Muja vazhdon të insistojë se dialogu nuk është mes tri prioriteteve të para të Qeverisë Kurti 2. Sipas tij, ishte shumë më poshtë në listë, por me insistimin e faktorit ndërkombëtar dhe opozitës në Kosovë, dialogu është vendosur si pikë e katërt në listën e prioriteteve të Qeverisë Kurti.
Muja në një intervistë në Interaktiv, ka thënë se menaxhimi i pandemisë, vaksinimi dhe rendi e ligji kanë top-prioritetet e Qeverisë.
“Menaxhimi i pandemisë, vaksinimi dhe e treta, por jo më pak e rëndësishme, është rendi dhe ligji”, tha ai.
Ai ka folur edhe për gjendjen shëndetësore në vend. Sipas tij, situata nuk ka ndryshuar krahasuar me marsin e vitit të shkuar, kur ishte Qeveria Kurti 1.
“Mënyra se si e kemi gjetur Kosovën, me një kapacitet shëndetësor që s’ka ndryshuar nga marsi i kaluar. E dyta, ndërkohë që vendet tjera kanë bërë progres në sigurimin e vaksinave, ne kemi pranuar vetëm vaksina përmes programit COVAX, kjo është gjendja më te cilën po fillojmë. Z. Arben Vitia (ministër i Shëndetësisë v.j.) është tepër i angazhuar dhe po i kushton tepër energji sigurimit të vaksinave”, ka thënë Muja.