Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se takimin e parë e ka realizuar me grupin e nxënësve nga Instituti “Atomi”.
Osmani thotë se këta nxënës me kërkesë mirë të artikuluara dhe vision aq largpamës, më shtuan vendosmërinë se duhet të punojmë më shumë për përmirësimin e gjendjes së sistemit arsimor.
Tutje ka shtuar se do bëjmë të pamundurën në krijimin e një arsimi cilësor, duke i’u premtuar edhe bashkëpunim me prindër dhe me institucione të tjera, përcjell "Bota sot".
Postimi i plotë:
E tashmja dhe e ardhmja e Kosovës do të jenë më mirë kur arsimi të bëhet prioritet në politikbërje e në mendësinë tonë. Andaj sot doja që një ndër takimet e para ta realizoj me grupin e nxënësve të Institutit “Atomi”.
Ata janë pamja më premtuese e Kosovës, pasuria më e madhe dhe perspektiva jonë. Mendjet e ndritura, këta vajza e djem me dhunti të jashtëzakonshme, me kërkesa mirë të artikuluara e vizion aq largpamës, veçse ma shtuan vendosmërinë që duhet të punojmë akoma me më shumë ngulm për të përmirësuar gjendjen e sistemit arsimor në vend.
Të vlerësuar për inteligjencën, secili nga këta fëmijë do të jetë një shtyllë e fortë e të ardhmes së Kosovës. Ata do të jenë imazhi jonë kudo në botë dhe me sukseset e tyre do të na bëjnë krenar!
I sigurova ata se do të bëjmë gjithçka që mundemi që t`u krijojmë mundësinë që ta kenë një arsim cilësor, jo vetëm atyre por dhe të gjithë fëmijëve në Kosovë, i cili kombinohet në mënyrë të duhur me tregun e punës. Po ashtu u premtova që do bashkëpunoj me prindër e institucionet tjera të identifikojmë edhe shumë shoqe e shokë të tjerë anë e mbanë Kosovës, po kaq mendjeprehtë, po kaq impresionues.
Secili fëmijë e ka një talent, por shpalosja e talentit është individuale. Me inteligjencën, talentin dhe shkathtësinë do ta ndërtojmë një brez të rinjsh për të tashmen dhe të ardhmen!



