Politologu Belul Beqaj u shpreh i shqetësuar për qëndrimet e PDK-së dhe AAK-së, të cilat ai tha se nuk janë bashkëpunuese në raport me partitë e tjera. Sipas tij, këto dy parti nuk po e analizojnë dhe nuk po kaptojnë se shkaktarë të situatës së sotme janë vetë ata në krye të pushtetit për 20 vjet, teksa nga ana tjetër po kërkojnë llogari nga VV-ja.
“Qëndrimi i LDK-së dhe pjesëmarrja në votim është pikënisje e mirë. Mua më shqetësojnë dy partitë e tjera, AAK dhe PDK. Qëndrimet e tyre nuk janë kooperative, nuk po kuptojnë se shkaqet e kësaj gjendje janë ata vetë, ata akuzojnë VV për diçka që do të bëjë. Nuk po e analizojnë mirë të kaluarën e tyre çfarë kanë bërë 20 vjet”, ka thënë Beqaj.
E, nëse akuzat ndaj Vetëvendosjes mund të jenë lëvizje e PDK-së e AAK-së për zgjedhjet lokale që do të mbahen këtë vit, Beqaj shtoi se është lëvizje më e keqe e tyre. Ai thotë se të dyja e edhe LDK-ja duhet të heqin dorë nga ish-liderët të cilët nuk janë më.
“Është edhe më keq nëse po veprojnë në këtë drejtim. U duhet ta rishikojnë politikën që e kanë bërë 20 vjet. Nuk është më këtu Hashim Thaçi e as Ibrahim Rugova. Ka ndryshuar konteksti i rrethanave, ka perënduar një elitë politike dhe ka lindë një elitë politike”.
Beqaj ka thënë se në partitë politike është e vështirë reforma.
“PDK, AAK dhe LDK e kanë përdorur shtetin e Kosovës për interesa të veta, të pushtetit të tyre. Shteti i Kosovës ka qenë në funksion të realizimit të interesave të tyre, disa kanë përfunduar, disa do të përfundojnë aty ku e kanë vendin, prandaj jam për ndryshime. Ata që nuk janë të vetëdijshëm çfarë ka ndodhur në 20 vjet, duhet ta rishikojnë politikën që është krijuar nëse duan perspektivë”, tha ai.