Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj e ka quajtur sekser klasik deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Sali Zyba lidhur me sigurimin e votave në zgjedhjen e presidentit.
Duke e vlerësuar të trafikuar edhe votën e deputetes së AAK-së, Albena Reshitaj, Haradinaj tha se ende nuk kanë marrë një vendim për pozicionin e saj në parti.
Haradinaj: Zyba është një sekser klasik i cili ka marrë përsipër trafikimin e votave
“Zotëri Zyba është një sekser klasik i cili ka marrë përsipër trafikimin e votave, kjo është e vërtet, gjithë janë të gjallë, gjithë janë aty. Unë nuk dua të shkoj më tutje, deputeti duhet të denoncojë vet nëse e vlerëson. Unë nuk e vlerësoj, por nëse insiston do të ballafaqohemi edhe me deputetë dhe me ata që i ka shkua në shtëpi dhe ka kërkua takim me ta”, tha ai.
Lideri i AAK-së përmes një konference për medie të mërkurën tha se Lëvizja Vetëvendosje si parti fituese e zgjedhjeve ka lënduar procesin e formimit të presidentit.
Haradinaj; Nuk kemi marrë një vendim të çfarëdo natyre për zonjën Reshitaj
“Vendimin e deputetes Reshitaj ne e shohim si pjesë e këtij procesi të trafikimit të votave. Kjo nuk na vjen mirë ta them të drejtën. AAK ka qenë e gatshme të vendos çfarëdo marrëdhënie në krijimin e institucioneve. Nuk ndihemi mirë kur gjithë ne kemi kërkua votë për Aleancën, veprimi individual ia ka pamundësuar rolin e vet në ndërtim të institucioneve...nuk kemi marrë një vendim të çfarëdo natyre për zonjën Reshitaj, por kjo është bindja ime se edhe ajo votë është pjesë e votës së trafikuar...nuk kemi parapa ndonjë vendim të caktuar”, u shpreh ai.
I pyetur për vaksinimin e mësimdhënësve në Shqipëri me vaksinë kineze kundër Covid-19, Haradinaj tha se të njëjtat duhet të sigurohen në Kosovë.
Haradinaj: Ashtu siç vlerëson qeveria mendoj se kanë të drejtë
“Se a duhet të vaksinohen mjekët dhe mësimdhënësit në Shqipëri nuk kam ndonjë opinion. Ashtu siç vlerëson qeveria mendoj se kanë të drejtë. Ne duhet të sigurojmë vaksinat në Kosovë, nuk e kam marrë vaksinën, kam qenë në Shqipëri më kanë lutur, por kam thënë jo, do të pres kur të vaksinohen dy të tretat e popullit, pastaj ta marrë edhe unë. Nuk e shoh zgjidhje improvizimin e tillë”, deklaroi ai.
Krahas kësaj, Haradinaj kërkoi ndihmën edhe të aleatëve në ShBA për sigurimin e vaksinave anti-Covid 19.