Doktorantët protestojnë sërish, paralajmërojnë bojkot të ri-testimit nëse vendos Senati

Aktuale

Doktorantët protestojnë sërish, paralajmërojnë bojkot të ri-testimit nëse vendos Senati

Më: 8 prill 2021 Në ora: 12:54
Foto nga vendi i ngjarjes

(E plotësuar 14:54) - Për të tretën herë para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” kanë protestuar kandidatët e pranuar për studime të doktoratës në Fakultetin Ekonomik dhe Fakultetit të Mjekësisë, për të cilët Senati ka vendosur që të përsëritin edhe një herë testimin.

Doktorantët e pranuar kanë deklaruar se nuk do të pranojnë që të ri-testohen, ndërsa nëse për një gjë të tillë vendos Senati ata do ta bojkotojnë ri-testimin.

Dëfrim Morina, përfaqësues i doktorantëve të Fakultetit të Mjekësisë, tha se pas opinionit të Agjencisë Antikorrupsion dhe Institucionit të Avokatit të Popullit, bien poshtë argumentet e Senatit se ka konflikt të interesit.

Morina: Nuk ka konflikt faktik të interesit

“Pas vendimit të Agjencioni Kundërkorrupsion dhe vendimit të Avokatit të Popullit, pika e parë e vendimit të senatit, e cila e trajton temën ose çështjen e konfliktit të interesit si një prej arsyeve të pezullimit të konkursit edhe në mënyrë institucionale bien poshtë dhe argumenti i senatit nuk vlen, për arsye se qartë në arsyetimin e Agjencisë Kundër Korrupsionit theksohet se nuk ka konflikt faktik të interesit dhe konkursi ka qenë në përputhje me Ligjin për konfliktin e interesit. Tri arsyetimet tjera të parapara nga ana e vendimit të senatit për çështje interpretimi të gjuhëve, mungesës së dokumentacionit dhe shqyrtimit të ankesave asnjëra prej tyre, do të thotë janë shkelje të ashtuquajtura procedurale që kanë ndodhur mbas periudhës së testimit dhe ri-testimi si një prej opsioneve të dhëna nga ana e senatit nuk ka me e zgjidh asnjërën prej këtyre çështjeve tjera”, tha Morina.

Morina tha se ditë më parë kanë pasur një takim me njërin nga prorektorët e UP-së dhe se në asnjë moment i njëjti nuk ka arritur që ta argumentojë se si ri-testimi do të zgjidhë arsyet e dhëna në vendimin e senatit.

Morina tha se doktorantët e Fakultetit të Mjekësisë janë unikë se nëse vendoset që përfundimisht të ri-testohen ata do ta bojkotojnë në gjë të tillë.

Të njëjtin qëndrim e kanë edhe doktorantët e Fakultetit Ekonomik, ku përfaqësuesja e tyre Nora Jusufi, tha se nëse vendoset që të ri-testohen do t’i drejtohen edhe gjykatave.

Jusufi: Do ta bojkotojmë ri-testimin në qoftë se senati vendos për një gjë të tillë

“Ne si grup kemi vendosur ta bojkotojmë ri-testimin në qoftë se senati vendos për një gjë të tillë. Ne tani më i kemi mbledhur nënshkrimet e të gjithë kandidatëve të pranuar dhe nëse ata vendosin që ta bëjnë ri-testimin ne jemi të detyruar që ta dërgojmë lëndën në gjykatë. Të gjitha argumentet tani më janë në anën tonë dhe besojmë që nëse sado pak ka drejtësi ne do të dalim fitimtar në këtë proces...Nuk është çështje frikësimi, ne jemi testuar në kohë, i kemi përcjell çdo lajmërim që ka dalë në ueb faqe, pikët i kemi dhe thjeshtë e mendojmë që nuk është e drejtë që të ri-testohemi”, tha ajo.

Ndërkaq, përfaqësuesja tjetër e doktorantëve të Fakultetit Ekonomik, Qëndresa Ibrahimi, ka ftuar të gjithë senatorët që të reflektojnë për vendimin e tyre.

Ibrahimi: Ftojmë senatorët të reflektojnë në mbledhjen e radhës

“Ne ftojmë të gjithë senatorët të cilët kanë të drejtë vote që në mbledhjen e radhës së senatit të reflektojnë, të trajtojnë të gjitha argumentet dhe gjendjen faktike, ta shohin procesin si tërësi dhe të mos ndikohen në vendimet e tyre individuale...Kemi qenë edhe në takim me rektorin dhe pritet që gjatë javës tjetër të mbahet mbledhja e senatit dhe presim vendimin cili do të jetë, siç u cek ne nuk pranojmë të ri-testohemi”, tha ajo.

Lidhur me ankesën e doktorantëve, ditën e djeshme Avokati i Popullit ka dhënë përgjigje në ankesën e parashtruar në këtë institucion, e që thuhet se IAP konstaton se pika e 13 e konkursit për studime të doktoratës përbën diskriminim dhe i ka rekomanduar Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” që të krijojë politika të përshtatshme për të parandaluar urgjentisht çdo praktikë që paraqet trajtim të pabarabartë me rastin e publikimeve të konkurseve publike të tilla.

Protestojnë sërish kandidatët e pranuar për studime të doktoratës

Për të tretën herë para rektoratit të Universitetit të Prishtinës kanë protestuar kandidatët e pranuar për studime të doktoratës në Fakultetin Ekonomik dhe të Fakultetit të Mjekësisë, për të cilët senati ka vendosur që të përsëritin edhe një herë testimin.

Doktorantët e pranuar kanë deklaruar se nuk do të pranojnë që t'i nënshtrohen edhe një herë testimit.

Ndërsa pas opinionit të Avokatit të Popullit, doktorantët thonë se kanë pushuar të gjitha arsyet për një gjë të tillë.

Ata deklaruan se nuk do të ndalen së kërkuari të drejtën e tyre.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat