Profesori universitar, i cili ishte pjesëtarë i UÇK-së, ka përkujtuar fillimin e luftës në Koshare.
Blerim Latifi, ishte 20 vjeç dhe ishte snajperist në luftën e Koshares, ku shprehet se, për ata që mbetën gjallë kjo ditë është krenari.
Sipas tij 114 heronjtë e Kosharës që dhanë jetën, varret e tyre janë pishtarë që ndriçojnë rrugën dhe historinë e Kosovës.
Postimi i plotë:
Kjo është njëra prej dy fotografive të vetme që kam nga Lufta e Kosharës. Neve që ishim në vijën e parë të frontit nuk na binte në mend për të bërë fotografi dhe po të mos ishte Rexhep Shehi që kishte sjellur një fotoaparat nga Norvegjia, as kjo fotografi nuk do të shkrepej kurrë.
Këtu kam dalë bashkë me Nehat Shalën, i cili u nda nga ne vitin që shkoi. Unë isha vetëm 20 vjeç, ndërsa Nehati dyfish më i moshuar.
Sot ne kujtojmë fillimin e Luftës së Kosharës, luftës që theu përfundimisht kufirin e vendosur dhunshëm midis trupit etnik e territorial të kombit shqiptar.
Për ne që mbetëm gjallë krenaria është e dyfishtë: krenarë që patëm fatin të jemi në atë vend ku u nderuan armët e kombit tonë dhe krenarë që ishim bashkë me 114 heronjtë e Kosharës që dhanë jetën e tyre për nderin dhe lirinë e Kosovës. Varret e tyre janë pishtarë që na e ndriçojnë rrugën sa herë që ne e humbim atë në terrin e rrjedhës së historisë.