Presidentja e vendit, Vjosa Osmani përmes një video të publikuar në rrjetin e saj zyrtar Facebok, ka kthyer përgjigje gjithë akuzave që i janë për shkak të mospërmendjes së UÇK-së gjatë homazheve në Koshare.
Osmani u shpreh që UÇK është frymëzimi ynë,burim i krenarisë dhe dhimbjes për të gjithë djemtë dhe vajzat e Kosovës që humbëm në luftën për liri.
Presidentja shton më tej se lufta e drejtë e UÇK-së, të gjithë dëshmorët e martirët, më së shumti nderohen kur ne punojmë mirë e drejtë për të gjallët dhe e ndërtojmë shtetin tone, përcjell “Bota sot”.
Në videon e bashkangjitur shihet teksa Osmani në çdo fjalim të saj ka falenderuar dhe përmendur UÇK-në dhe luftën e saj të denjë.
Postimi i plotë
Të dashur qytetarë,
Prekazi, Likoshani, Çirezi, Gllogjani, Loxha, Llapushniku, Vërrini, Tabet e Llapashticës, Shala e Bajgorës, Kosharja e Pashtriku, si dhe gjithandej në Kosovë ku Ushtria jonë Çlirimtare luftoi, janë frymëzimi ynë, burim i krenarisë dhe dhimbjes për të gjithë djemtë dhe vajzat e Kosovës që humbëm në luftën për liri. Por, nuk është hera e parë që bëhet një luftë speciale e ndërtuar mbi të pavërteta, sikur kjo e ditës së djeshme. Si çdoherë, po e përsëris, lufta e drejtë e UÇK-së, të gjithë dëshmorët e martirët, më së shumti nderohen kur ne punojmë mirë e drejtë për të gjallët dhe e ndërtojmë shtetin tonë mbi idealet që i kishin luftëtarët e lirisë dhe të gjithë ata që dhanë jetën për shtetin që e gëzojmë. Përtej propagandës së orkestruar, dëshmitë flasin ndryshe.