Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje Arianit Beqiri, i ka reaguar nënkryetares së Lidhjes Demokratike të Kosovës Shqipe Mjekiqit, e cila kritikoi kryeministrin Albin Kurti se po merret me çështje të brendshme të Shqipërisë.
Mjekiqi sot e ka quajtur këtë absurditet e veprim të paprecedent.
“Në kohë krize ekonomike, sociale e të pandemisë në vend se të dalë me një strategji për tejkalimin e kësaj situate, Kryeministri Kurti merret me çështjet e brendshme të Shqipërisë duke favorizuar kandidatë për deputetë! Absurditet e veprim i paprecedent”, ka shkruar nënkryetarja e LDK-së në një postim në Facebook.
Por, asistenti i Kurtit, ka thënë se Vetëvendosje është pjesë edhe e Shqipërisë, përcjell Bota sot.
Sipas tij, VV-ja i takon të gjithë shqiptarëve, ndërsa është zotuar se do t’i kryejnë detyrat e tyre me përpikmëri.
“Lëvizja Vetëvendosje! është pjesë e Shqipërisë sepse nuk është pjesë vetëm e Kosovës! Ajo u takon të gjithë shqiptarëve. Kudo që marrim përgjegjësi, do t'i kryejmë detyrat tona në mënyrën më të përpiktë”, ka shkruar Beqiri në Facebook./BS