Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, përmes një postimi në facebook ka shkruar lidhur me takimin që ka zhvilluar me presidenten e sapo zgjedhur, Vjosa Osmanin.
“Sot, në orët e pasdites, takova Presidenten e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani Sadriu. Zhvilluam një bashkëbisedim të hapur, të drejtë e substancial për temat me interes kombëtar. Lidhja Demokratike e Kosovës, në cilindo kapacitet, do të përkushtojë gjithë potencialin e vet në bërjen e Kosovës vend që e kemi ëndërruar përherë. Presidentes i urova sukses në promovimin e shtetit, mbrojtjen e Kushtetutës e përfaqësimin e unitetit në vend”, ka shkruar kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
E presidentja Vjosa Osmani e ka përgëzuar LDK-në, për rolin konstruktiv që e luajti gjatë procesit të zgjedhjes së presidentes.
“Partitë opozitare kanë rol kyç në proceset e rëndësisë së veçantë për vendin. Prandaj, sot prita në takim kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun. E përgëzova atë për rolin konstruktiv që LDK luajti gjatë procesit të përmbylljes së formimit të institucioneve pas zgjedhjeve të 14 shkurtit. Sigurova z. Abdixhiku që institucioni i Presidencës do të jetë çdoherë në shërbim të forcimit të bashkëpunimit dhe dialogut mes partive politike, me theks të vecantë për temat e interesit kombëtar. Në këtë drejtim, mirëpres kontributin e të gjitha partive politike opozitare për çështjet që lidhen me interesin shtetëror dh e mirëqenien e qytetarëve. Me z. Abdixhiku u pajtuam që të vazhdojnë diskutimet për temat që kërkojnë konsensus të gjerë politik dhe shoqëror”, ka shkruar presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.