Arbër Zaimi, këshilltari kryesor politik i Albin Kurtit, ka mohuar zërat se mbrëmë ka kaluar natën në njërën prej kazinove në qendër të Tiranës.
Zaimi tha se lajmi që po qarkullon nëpër media është i rrejshëm.
“Jo nuk ka asgjë të vërtetë. Nuk kam ardhur këtu (Tiranë) në ndonjë fundjavë, jam këtu prej 6 javësh, dhe në asnjë mbrëmje, ditë nuk kam qenë në asnjë vend të lojërave të fatit”, ka thënë Zaimi.
“Gazeta Tema”, një media nga Shqipëria ka publikuar një lajm, ku i është bashkangjitur edhe një fotografi nga brenda kazinoje, e ku pretendohet së është Arbër Zaimi.
Sipas kësaj medie, Zaimi ka zgjedhur ta kaloj më qetë natën pas orës policore në Tiranë. Aty ku të pranishëm ishin edhe ministrat e Qeverisë Kurti.
Ai, gjithmonë sipas kësaj medie është parë në mjediset e Regency Casino në qendër të Tiranës.
Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje – Qendra në Shqipëri do të marrë pjesë në zgjedhjet e 25 prillit me tre kandidatë për deputetë që tashmë janë certifikuar nga KQZ. Kandidatët janë; Iliaz Shehu, Kreshnik Merxhani, Boiken Abazi.