Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku bashkë me nënkryetaren znj. Shqipe Mjekiqi -Sadiku, kanë zhvilluar një takim miqësor me përfaqësues të lartë të BE-së.
Lajmin e ka bërë LDK-ja përmes një njoftimi zyrtar në Facebook.
Përfaqësuesit e BE-së kanë vlerësuar lart rolin e LDK-së në votimin e presidentes Vjosa Osmani.
Teksa kryetari Abdixhiku ka kërkuar liberalizimin e vizave për Kosovën.
Postimi i plotë:
Sot, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Dr. Lumir Abdixhiku bashkë me nënkryetaren znj. Shqipe Mjekiqi -Sadiku, kanë zhvilluar një takim miqësor me përfaqësues të lartë të BE-së, Komisionerin për Zgjerim dhe Fqinjësi, z. Olivér Várhelyi, Zëvendës Kryetarin e Grupit të PPE për Zgjerim, Ballkanin Perëndimor dhe Fqinjësi Jugore në Parlamentin Evropian, z. Andrey Kovatchev, dhe një numër eurodeputetësh e raportuesish nga Parlamenti Evropian.
Përfaqësuesit e BE-së vlerësuan lart pjesëmarrjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës në procesin e votimit dhe përgëzuan kryetarin Abdixhiku për rolin konstruktiv që LDK ka luajtur duke i hapur rrugë zgjedhjes së Presidentes.
Po ashtu, njoftuan kryetarin Abdixhiku që BE-ja është duke finalizuar përpjekjet që, përveç kanalit COVAX, shumë shpejt të sigurojë vaksina shtesë për Kosovën dhe vendet tjera të rajonit.
Kryetari Abdixhiku falënderoi përfaqësuesit e BE-së për mbështetjen që ka dhënë BE për Kosovën duke theksuar nevojën për liberalizimin e vizave për qytetarët e vendit dhe një përshpejtim të procesit të integrimit.