Qeveria e Republikës së Kosovës nga sot do të ketë dy zëdhënës. Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar Rozafa Kelmendin, zëdhënëse të Qeverisë.
Rozafa Kelmendi ka përvojë nëntë vjeçare si gazetare me mediat vendore e ndërkombëtare.
Nga viti 2011 ka punuar në projekte të Fondit Global, UNDP-së dhe UN Women. Vitin e kaluar ka punuar si Analiste e Politikave të Drejtësisë Tranzicionale në UN Women, Nju Jork, ku mes tjerash ka koordinuar punën globale për drejtësi tranzicionale të kësaj agjencie.
Është autore e disa publikimeve për personat e pagjetur dhe të mbijetuarat/it e dhunës seksuale gjatë luftës.
Ka studiuar për Menaxhment dhe Informatikë si dhe Shkenca Politike në Universitetin e Prishtinës.
