Pjetër Shala, i njohur në luftë me nofkën “Komandant Ujku”, është transferuar për në Hagë.
Kjo pasi i është konfirmuar aktakuza, shkruan "Bota sot".
Sipas njoftimit për media, Gjykatësi i Procedurave Paraprake, Nikola Giju e konfirmoi aktakuzën kundër Shalës më 12 qershor 2020.
Ndërkaq, më 15 prill 2021, Shala u transferua në objektin e paraburgimit të DHSK-së në Hagë.
“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në njoftimin për media.
Njoftimi i plotë për media:
Më 16 mars 2021, autoritetet e Belgjikës në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestimit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK), arrestuan zotin Pjetër Shala në Belgjikë. Më 15 prill 2021, z. Shala u transferua në objektin e paraburgimit të DHSK-së në Hagë. Versionet e redaktuara publike të fletarrestimit dhe urdhrit për transferim të z. Shala mund të lexohen këtu. Gjykatësi i Procedurës Paraprake, Nikola Giju e konfirmoi aktakuzën kundër z. Shala më 12 qershor 2020.
Aktakuza e konfirmuar e redaktuar tashmë është bërë publike në pajtim me rregullën 88 të Rregullores së Procedurës dhe Provave. Për arsye sigurie, Gjykatësi i Procedurës Paraprake urdhëroi që aktakuza të bëhej publike me redaktime. Aktakuza mund të lexohet këtu.
Në aktakuzën e konfirmuar z. Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.
Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Së shpejti do të jepet informacion mbi datën dhe orën e paraqitjes së parë të z. Shala para Gjykatësit të Procedurës Paraprake. Paraqitja e parë mbahet në seancë publike dhe mund të përcillet përmes faqes së DHSK-së në Internet.