Ish Ministri i Shëndetësisë gjatë Qeverisë Hoti, Armend Zemaj, përmes një postimi në facebook ka adresuar kritika ndaj Qeverisë Kurti, e cipa sipas tij ka dështuar në menagjimin e pandemisë dhe sigurimin e vaksinave AntiCovid.
“Kapaciteti për udhëheqje tregohet në pozitë, parullat politike nuk janë funksionale po nuk pate dije, përkushtim dhe motiv për t’i dalë zot vendit në situata emergjente. Një Qeveri e cila nuk di se si të sillet në oborrin e vet dhe kërkon dije e hapësirë veprimi në kojshi, çka mundesh më shumë me pritë në pandemi, përpos dështim. Dështim për vaksina, me shumë se dhjetëra jetë të humbura çdo ditë nga Covid-19, numër i madh i të infektuarve, ulje e numrit të testeve, masa politike ku i mbyll qytetarët pa asnjë strategji, deklarata populliste por jo konsultim me profesionistët e fushës”, ka shkruar Zemaj, përcjellë “Bota sot”.
Sipas tij, shëndeti i qytetarëve mbrohet me vaksina, jo me parulla politike.
“Më duket e pabesueshme që duhet të shkaktohen vonesa për nënshkrim të një kontrate e cila është hartuar në pajtim me ligjin dhe situatën e pandemisë. Do të ishte tepër dëshpëruese nëse kemi vonesa një minutë, lëre më një ditë, apo vonesa me muaj. Shëndeti i qytetarëve mbrohet me vaksina, jo me parulla politike. E pabesueshme çka mund të ndodhë!”, ka shkruar në postimin e tij, Armend Zemaj, ish Ministër i Shëndetësisë.