Pas miratimit nga Qeveria e Kosovës të koncept-dokumentit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, shumë shpejt pritet të formohet Grupi punues brenda Ministrisë së Drejtësisë, i cili do të punojë në hartimin e projektligjit për këtë çështje, konfirmon Genc Nimoni, këshilltar i lartë politik i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Në lidhje me këtë ka reaguar zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj, përcjell “Bota sot”.
Ai përmes një shkrimi në Facebook, ka akuzuar Qeverinë Kurti 2 se nuk dinë çfarë po bëjnë.
Madje, Gecaj, thotë se, përveç populizmit dhe opozitarizmit të dhunshëm ky ekzekutiv nuk dinë asgjë tjetër.
Ja shkrimi i plotë:
“Ministria e Drejtësisë: Ligji për Konfiskimin e Pasurisë ka cak zyrtarët dhe ish-zyrtarët, jo qytetarët”
Këta vërtetë nuk dinë çfarë bëjnë ... kjo deklaratë provon se pos populizmit dhe opozitarizmit të dhunshëm nuk dinë tjetër. Shumë nga zyrtarët e korruptuar, pasurinë e jashtëligjshme nuk e kanë të regjistruar në emrin e tyre, por të ndonjë “qytetari” ... në fund, do të mbesin duke konfiskuar ndonjë veturë apo orë të shtrenjtë!