Situata me pandeminë e koronavirusit, vazhdon të jetë e rëndë në Kosovë.
Gjatë kësaj, numri i të infektuarve dhe të vdekurve, nuk është se ka ndryshuar shumë në raport me javën e kaluar.
Nga e hëna deri të shtunën, në vend pati 3 mijë e 686 të infektuar dhe 85 qytetarë humbën jetën si pasojë e infektimit me këtë virus.
Këto të dhëna bëhen të ditura në raportin 24 orësh nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, i cili publikohet në faqen zyrtare të IKSHP-së.
Duke e parë situatën e rënduar, Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Shëndetësisë, ditë më parë ka miratuar masa të reja për parandalimin e mëtutjeshëm të përhapjes së coronavirusit të ri (COVID-19).
Masat e reja të cilat u miratuan në qeveri , parashohin 46 pika të ndryshme lidhur me parandalimin e përhapjes së pandemisë të cilat erdhën si pasojë e rritjes së numrit të rasteve pozitive dhe vdekjeve që u regjistruan gjatë ditëve të fundit si pasojë e COVID-19.