AGK: Alarm për institucionet, Kosova në vendin e 78-të në botë sa i përket lirisë së shtypit

Aktuale

AGK: Alarm për institucionet, Kosova në vendin e 78-të në botë sa i përket lirisë së shtypit

Më: 20 prill 2021 Në ora: 12:07
Foto ilustrim

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka shprehur shqetësim lidhur me gjetjet e organizatës “Reporterët pa Kufij”, për gjendjen e lirisë së medieve në Kosovë, në raportin e publikuar për vitin 2021.

Kosova është renditur në vendin e 78-të në botë sa i përket lirisë së shtypit dhe qëndron më mirë krahasuar me disa vende të rajonit. Megjithatë, rënia që ka pësuar Kosova për 8 vende në Indeks, dëshmon gjendjen reale, jo të kënaqshme të lirisë së medieve në Kosovë.

“Njëjtë si vitin e kaluar, raporti evidenton paqëndrueshmërinë e vazhdueshme të medieve, ku pothuajse si gjithçka tjetër në vend, mbetet e ndarë në vija etnike. Aty theksohet se qasja në informacion shpesh është e kufizuar në një grup etnik ose politik, me shumicën e medieve që raportojnë kryesisht për çështje që kanë të bëjnë me kombësinë e tyre. Disa nga shqetësimet e përbashkëta, sipas raportit, janë sulmet fizike dhe verbale ndaj gazetarëve, sulmet kibernetike ndaj medieve online si dhe mungesa e transparencës sa i përket pronësisë së medieve.

Sipas indeksit të “Reporterët pa kufij”, shumë media në Kosovë nuk kanë qëndrueshmëri financiare, gjë që i bën ato të ndjeshme ndaj ndikimeve politike. Shumë gazeta u ndaluan së botuari si pasojë e pandemisë COVID-19. Aty gjithashtu theksohet rasti i shoqërimit në polici i gazetares, Tatjana Lazarevic, për çka pati reaguar AGK-ja”, thuhet në reagimin e AGK-së.

AGK shton se fati i shumë gazetarëve të vrarë dhe të zhdukur gjatë konfliktit të fundit të vitit 1999, mbetet ende i panjohur, gjithashtu përmendet në raport.

“Nga vendet e rajonit, sipas Indeksit, Kroacia e ka renditjen më të ulët, në vendin e 56-të. Vendet tjera e kanë këtë renditje: Mali i Zi 104, Serbia 93, Shqipëria 83, Bosnje dhe Hercegovina 58. AGK-ja vlerëson se gjetjet e këtij raporti duhet të jenë alarm për institucionet e vendit në funksion të krijimit të një ambienti më të mirë dhe të sigurt të të bërit gazetari”, thuhet në reagim.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat