Deputetja nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu ka reaguar në lidhje me grafitet në oborrin e shtëpisë së ish-deputetes së PDK-së, Adelina Grainca.
Ajo thotë se, PDK-ja nuk fshihet dhe nuk merret me grafite të territ.
“Adelina Grainca që u zgjodh deputete nga votat e mbështetësve të PDK-së, e tradhtoi besimin e tyre, duke nisur jetën politike në mënyrën më të padenjë të mundshme. Mandati i saj i trafikuar padenjësisht në Vetëvendosje, është mandat i votuesve të PDK-së dhe atyre që kanë besuar në Rimëkëmbjen, e nuk mund të shndërrohet kurrë në mandat politik për dikë tjetër”, ka shkruar deputetja në Facebook.
Postimi në Facebook:
PDK-ja dhe rinia e PDK-së, i patën dhënë hapësirë dhe mbështetje të plotë kandidimit të Adelina Graincës, e përmes shembullit të saj, dhanë një mesazh të fuqishëm për çdo të ri e të re që kërkon adresë për angazhim politik.
Madje, në një kohë kur PDK-ja doli me rezultatin më të ultë elektoral, Adelina Grainca që garoi për herë të parë, ia doli që të zgjidhet deputete, si një nga 6 gratë e vetme të PDK-së në Kuvend, pikërisht falë hapësirës që iu dha nga PDK-ja dhe mbështetjes që ia dhanë votuesit e saj.
Por Adelina Grainca që u zgjodh deputete nga votat e mbështetësve të PDK-së, e tradhtoi besimin e tyre, duke nisur jetën politike në mënyrën më të padenjë të mundshme. Mandati i saj i trafikuar padenjësisht në Vetëvendosje, është mandat i votuesve të PDK-së dhe atyre që kanë besuar në Rimëkëmbjen, e nuk mund të shndërrohet kurrë në mandat politik për dikë tjetër.
Kjo është e vërteta e sheshtë dhe PDK-ja sheshazi ia kërkon Adelina Graincës dorëzimin e mandatit. PDK-ja nuk fshihet dhe nuk merret me grafite të territ për ta thënë të vërtetën që është e qartë si drita.