Ditëve të fundit, shumë mërgimtarë më janë ankuar për shkak të telefonatave apo bezdisjeve nga “Call Center” nga Kosova të cilët çdo ditë i thërrasin, tha anëtari i Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje në Kuvendin e Kosovës Mefail Bajqinovci.
Deputeti nga LVV-ja tha se shqetësimi i mërgatës është se si është e mundur që “Call Center” nga Kosova i kanë numrat e mërgatës në Bashkimin Evropian.
Sipas tij dyshimet e mërgatës janë se numrat e telefonit po mirren nga kompanitë ajrore, që nga momenti i rezervimit të biletave.
"Shumë qytetarë e kanë lajmëruar policinë në shtetet ku jetojnë, por është e pamundur ndëhyrja, sepse telefonatat bëhen nga Kosova, pikërisht nga “Call Center” që veprojnë brenda vendit tonë", tha Bajqinovci.
Ai shtoi se mërgata është e shqetësuar me shkeljen e privatësisë, bezdisjen nga “Call Center” që po i pengojnë pothuajse çdo ditë.