Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, duhet të dalin para qytetarëve e të japin përgjegjësi pse nuk u nënshkrua marrëveshja për vaksina me Pfizerin.
Ajo ka kritikuar Qeverinë Kurti, duke thënë se ka nisur përndjekjen e gazetarëve. Ndërsa ka thënë se janë shenjat e para të kalimit nga një sistem demokratik në një autoritar.
“Kosova këtë vit ka rënë për tetë pozita sa i përket raportit të ‘Reporterë pa Kufij’, sa i përket lirisë së shtypit. Tash kur qytetarët më shumë se kurrë kanë nevojë që të informohen drejtë për pandeminë e vaksinat, Qeveria Kurti është e para që ka nisur përndjekjen e mediave e gazetarëve. Kurti e Vitia duhet të dalin para qytetarëve e të japin përgjegjësi pse nuk është nënshkruar marrëveshja për t’i marrë vaksinat nga Pfizeri.
Ndërhyrja flagrante e aparatit shtetëror është njollë e zezë mbi demokracinë. Gazetarët kanë theksuar mungesën e përgjegjësisë publike të kryeministrit për të marrë pjesë në konferenca për gazetarë dhe debate publike. Këto janë shenjat e para të kalimit nga një sistem demokratik në atë autoritar”, ka thënë Deliu-Kodra.