Gazetari Xhevdet Pozhari, i ka reaguar deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës Driton Selmanajt, i cili e quajti “kriminel” kryeministrin Albin Kurti, gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës.
Pozhari ka ironizuar me Selmanajn, duke e quajtur “mendjendritur”.
“Driton Selmanaj - Albin Kurtit: Kushdo që kryen vepër penale, është kriminel. Paramendoni me pas qenë Selmanaj i moshës madhore në kohën e regjimit të Serbisë kur ligjërisht konsiderohej 'vepër penale' edhe mu vesh kuq e zi. More mendjendritur, edhe në një aksident komunikacioni, lënda mund të klasifikohet si vepër penale varësisht nga rrethanat dhe atij që e jep vendimin! Ti po flet për një sistem të drejtësisë ku prokurori e ka shpallur vetëvrasje vdekjen e Astrit Deharit dhe më pas ka kandiduar për deputet nga radhët e LDK-së pa bartur asnjë pasojë!, ka shkruar Pozhari në një postim në Facebook.
Selmanaj, ia ka kujtuar kryeministrit Kurti se është i dënuar nga gjykata, duke përmendur këtu edhe rastin e Albulena Haxhiut dhe Mimoza-Kusari-Lilës.
“Unë po i them kryeministrit, në librat e kriminalistikës, kushdo që kryen vepër penale është kriminel. Shefen e grupit parlamentar e keni të dënuar për korrupsion”, ka deklaruar Selmanaj në seancë./BS