2 hektar e 12 ari e 17 metra katror në zonën ku ka qenë i ndërtuar hoteli ‘Viciano’ në Vushtrri, pretendohet se janë dhënë kundërligjshëm në shfrytëzim nga Shërbimi Korrektues i Kosovës.
Kontrata në fjalë është nënshkruar me datën 02.11.2020 mes Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe Jahë Osmani, derisa çmimi total i kontratës është 381.600 euro në kohëzgjatje prej 15 viteve.
E tashmë, kjo kontratë është anuluar.
Kështu ka bërë te ditur, zv/minstri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, përmes një postimi të bërë në Facebook.
Statusi i plotë:
Sot, njëanshëm kemi anuluar kontratën kriminale përmes së cilës persona të papërgjegjshëm kanë dhënë në shfrytëzim pronën e Ministrisë së Drejtësisë, personit juridiko privat pa asnjë bazë ligjore, gjithësej 2 hektarë e 12 ari e 17 metra katëror.
Po ashtu kemi dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale kundër ish Ministrit Selim Selimi dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi.
Dhe krejt në fund kemi dorëzuar kërkesën në Këshillin Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë kundër Nehat Thaçit për shkak të shkeljes së rëndë të detyrave të punës.
Nuk mund dhe nuk duhet të tolerojmë shkelje të ligjit!