Debat i ashpër / “Kapen” Zemaj e Doarsa Kica, Krasniqi: Le t’i sheh populli çfarë sjellje po bëjnë - dështon rezoluta e PDK-së

Aktuale

Debat i ashpër / “Kapen” Zemaj e Doarsa Kica, Krasniqi: Le t’i sheh populli çfarë sjellje po bëjnë - dështon rezoluta e PDK-së

Më: 27 prill 2021 Në ora: 15:33

(E plotësuar 18:57) - Krasniqi: Ministër po dukesh i vetmuar, nuk është normale që sekretari të udhëheqë procesin e vaksinave

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se ministri po duket i vetmuar pasi nuk e ka mbështetjen e kryeministrit për sigurimin e vaksinës.

Ai tha se nuk është normale që procesin e blerjes së vaksinave të lihet në dorën e sekretarit të Ministrisë, derisa tha se duhet të marrin shembull kryeministrin e Shqipërisë, të cilin e quajti kryeministër i kryeministrit të Kosovës.

Krasniqi: Nuk është normale me e udhëheq këtë proces një sekretar i ministrisë

“Edhe ti ke abstenuar prej udhëheqjes së betejës me pandeminë për faktin që vet the që nuk je në krye të procesit për sigurimin e vaksinës që ishte për mua një befasi jashtëzakonisht e pakëndshme. Nuk është për mendimin tim normale me e udhëheq këtë proces një sekretar i ministrisë edhe në koftë jashtëzakonisht i mirë, e aq më shumë për faktin që ai është në ministri më duket tash e ke kthyer që nja një muaj ditë. Vetëm nëse e merr shembull Shqipërinë, kryeministri i Shqipërisë që është po ashtu kryeministri i kryeministrit tonë ai e ka udhëhequr krejt procesin dhe vet ka shkuar në SHBA vitin e kaluar me e diskutua me Pfizer për temën për të cilën ne po flasim sot”, tha ai.

Ai tha se turpi i këtij debati parlamentar ka qenë tendenca e deputetëve të shumicës lidhur me numrin e vdekjeve në Kosovë, ku tha se deklarojnë se kanë vdekur 10 veta në vend të 14 që kanë vdekur para një jave.

Krasniqi u shpreh se e kupton konfidencialitetin e kontratës, por që tha se nuk e kupton që nuk mund të japin asnjë datë të përafërt.

Atij i është përgjigjur ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili tha se në krye të betejës është ai, kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani, derisa tha se nga muaji maj kur do të fillojnë të vijnë vaksinat ky proces nuk do të ndalet.

Vitia: Në krye të betejës jam unë, kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani

“Në asnjë moment nuk kam thënë se nuk jam në krye të betejës sa i përket sigurimit të vaksinave për COVID-19, është në krye të betejës asnjëherë nuk kam thënë, në krye të ekipit negocues dhe shumë mirë e dini se edhe ju keni qenë ministër janë disa çështje të deleguara dhe në krye të betejës natyrisht se jam unë. Edhe dje nëse nuk më keni dëgjuar po e përsëris prapë, në krye të betejës është edhe kryeministri Kurti edhe presidentja Osmani, mirëpo përgjegjësitë kryesore z.Krasniqi edhe ju qytetarë të nderuar i kam unë. Prandaj, flas me përgjegjësi të plotë se nga maji kur të fillojmë me ardhë vaksinat ky proces nuk do të ndalet po do të vijnë vazhdimisht vaksina”, tha ai.

Ai tha se të gjitha ato që i ka deklaruar do t’iu qëndrojë deri në fund.

Deputeti i PDK-së Memli Krasniqi, ka pyetur sërish ministrin Vitia se po flet vetëm për Pfizer dhe asnjë fjalë për vaksinën e Modernës, Johnson and Johnson, asnjë fjalë për marrëveshje direkte me AstraZeneca se a ka mundësi me marrë vaksina edhe krejt këtyre.

Në përgjigjen e tij, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, tha se me të gjitha kompanitë prodhuese kanë kontaktuar dhe me të gjitha janë në negocim.

Vitia: Me të gjitha kompanitë prodhuese kemi kontaktuar

“Me të gjitha kompanitë prodhuese kemi kontaktuar, me të gjitha kompanitë prodhuese jemi në negocim, arsyeja pse nuk i kemi përmendur të tjerat është se ato nuk janë në gjendje me na sjell më herët vaksinat sesa kompania në fjalë. Arsyeja është e thjeshtë nuk janë kontaktuar me kohë dhe tash jemi në situatën kur jemi duke kontaktuar dhe kemi hyrë në radhën e tyre, por përgjigja e tyre është nuk jemi kontaktuar me kohë. Do të mund të marrim edhe nga to vaksina, por jo shpejt sa do të marrim nga kompania që thash më herët”, tha ai.

Ndaj kësaj ka deklaruar ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, i cili tha se aplikimi i parë zyrtar për vaksinë ka qenë 30 qershori, e që nga atëherë ai tha se ka filluar angazhimi i tyre përmanent për sigurimin e vaksinave.

Zemaj: Aplimi i parë me 30 qershor nga ajo ditë ka filluar angazhimi jonë përmanent për sigurimin e vaksinave

“Aplikimi i parë zyrtar i Republikës së Kosovës dhe i MSH për sigurimin e vaksinës ka qenë 30 qershori 2020, do të thotë nga ajo ditë ka filluar angazhimi jonë permanent për sigurimin e vaksinave në të gjitha nivelet z.ministër edhe me Modernën edhe me Johnson and Johnson kur kanë dalë në përdorim, jo para se me marrë licencimin, vetëm duhet të jemi të sinqertë dhe korrekt. Asnjëherë në dalje nga kontrolla të situatës pandemike. Jemi i vetmi vend pothuajse edhe në rajon por edhe më tej që tri elemente nuk na kanë ndodhur që janë pozitive në menaxhimin dhe mbajtjen nënkontroll të situatës pandemike. Asnjë qytetarë i Republikës së Kosovës nuk ka mbetur pa shërbime shëndetësore, asnjë i vetëm nuk ka vdekur jashtë institucioneve spitalore dhe asnjë i vetëm nuk ka bërë vetëvrasje për shkak të situatës me pandeminë”, tha ai. 

***

Grupi Parlamentar i PDK-së ka propozuar rezolutë konkrete pas debatit parlamentar për pandeminë, përmes së cilës kërkon sigurimin e shpejtë të vaksinës anti-Covid për qytetarët, por nuk u votua nga deputetët e mazhorancës së Vetëvendosjes.

Kjo rezolutë u votua kundër nga 54 deputetë të Kuvendit të Kosovës

Rezoluta e plotë e propozuar nga PDK:

Duke vlerësuar nevojën e madhe që të sigurohen vaksinat dhe mjetet e medikamentet mjekësore dhe shëndetësore, për të mbrojtur shëndetin dhe jetën e qytetarëve në situatën e pandemisë; Kuvendi i Republikës së Kosovës

1. Obligon Qeverinë e Republikës së Kosovës për marrjen e masave, veprimeve e vendimeve për sigurimin e vaksinave anti-COVID-19 të nevojshme dhe të mjeteve dhe medikamenteve mjekësore dhe shëndetësore për menaxhimin e situatës pandemike, në afat prej më së largu një muaj nga miratimi i kësaj rezolute;

2. Bazuar në Ligjin Nr. O7/L-006 për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës, obligon Qeverinë e Republikës së Kosovës që të bashkëpunoj me IKSHPK-në për të miratuar planin për vaksinim të qytetarëve me vaksinën anti-COVID-19 dhe i njëjti të bëhet publik, të jetë transparentë me qëllim që qytetarët të kenë sa më shumë informata për procesin e imunizimit të qytetarëve.

3. Obligon Qeverinë e Republikës së Kosovës për zgjerimin e kapaciteteve logjistike për sigurimin e regjistrave demografik dhe krijimin e databazave dhe aplikacioneve në nivel komunal dhe qendror për qëllime të vaksinimit efektiv të qytetarëve;

• Obligohet Qeveria e Kosovës që të zbatojë Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike me qëllimin të stimulimit të profesionistëve shëndetësor dhe stafin mbështetës.

• Konfirmon zotimin që Republika e Kosovës përmes legjislacionit të miratuar, do të angazhohet për t’i dalë në ndihmë përmes mbështetjes financiare, grupeve të caktuara shoqërore, shëndeti i të cilëve rrezikohet si rezultat i punës së tyre në shërbim të shtetit dhe shoqërisë që lidhet me menaxhimit e pandemisë së virusit Covid-19;

• Përfituesve të mbështetjes financiare nga pika 5 e kësaj rezolute, do të ofrohet mbështetje si në vijim: 6.1.Të gjithë të punësuarit në sektorin publik të cilët me veprimtarinë e tyre përballen me menaxhimin pandemisë COVID-19, stimulohen dhe mbështeten financiarisht. Profesionistët shëndetësor mbështeten me pagesë shtesë prej treqind euro (300 euro), ndërsa punëtorët jo shëndetësor me pagesë shtesë prej dyqind euro (200 euro), për muaj mbi pagën bazë për muajt prill, maj dhe qershor 2021.

• Burimi i financimit për mbulimin të mbështetjes financiare nga pika 5 dhe 6 e kësaj rezolute, sigurohet nga buxheti i Republikës së Kosovës:

• Kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës, që në afat sa më të shkurtër kohor të ndërmerrë veprimet e nevojshme ligjore për zbatimin e mbështetjes financiare të përcaktuar në pikën 5 të kësaj rezolute.

***

Një situatë e pakëndshme ka ndodhur sot në Kuvendin e Kosovës në mes të deputetes së VV-së Daorsa Kica-Xhelili dhe deputetit të LDK-së, Armend Zemaj.

Ishte deputetja e VV-së ajo e cili nxiti reagimin e ish-ministrave  të Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe të Uran Ismaili.

Ajo në një fjalim në Kuvendin e Kosovës, kritikoi dinamikën e nënshkrimit të kontratave për sigurimin e vaksinave.

Image

“Nënshkrimi i marrëveshjes në fakt dihet me automatizëm që ato vijnë pas një jave. Nuk nënkuptohet domosdoshmërish që vaksinat vijnë me një nënshkrim. Plani dinamik mundet me qenë pas dy jave, mundet me qenë pas një muaji. Unë këtë sen po e them. Nëse ju jeni në gjendje me e publiku një dokumentacion nga Pfizer-i që prapë po e rrezikon komplet procesin dhe thoni se kanë pasur të vijnë me 5 maj, se edhe ti në fund të marsit e ke thanë që është e pamundur me ardh në fund të prillit. Tash e lexoj”, ka thënë Daorsa Kica-Xhelili.

Në ndërkohë përgjatë kohës sa ishte duke folur deputetja e VV-së, ishte ish-ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ai i cili i shkoi tek vendi asaj dhe insistonte që e njëjta ta lexonte atë marrëveshje.

E ndaj kësaj situate ka reaguar deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi.

“A po i ulni në vend këta kryetar. Është mirë me u sjell ma serioz, e sidomos këta deputetë e rinj. Mirë është me i pa edhe qytetarët se çfarë sjellje janë duke bërë mos të më qesin vetëm mua”, ka thënë Krasniqi.

Në ndërkohë edhe deputeti Uran Ismaili dëgjohet duke thënë “sigurimi”, teksa kamera e Kuvendit nuk i fokuson Armend Zemajn dhe Xhelilin se çfarë po ndodhte mes tyre. 

Dinamika për sigurimin e vaksinave përplas ministrin Vitia me ish-ministrin Zemaj

Çështja rreth dinamikës për sigurimin e vaksinave ka përplasur ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia me ish-ministrin Armend Zemaj. Ky i fundit ka kërkuar të dijë nga ministri Vitia se cila është dinamika e duhur dhe cila ka qenë e mos duhura në tri proceset për sigurimin e vaksinës.

Zemaj ka treguar të gjithë procedurën për sigurimin e vaksinave dhe komunikimet që i ka përcjell më pastaj pas dorëzimit të mandatit.

Zemaj: Cila është dinamika e duhur dhe cila ka qenë e mos duhura nga tri proceset për sigurimin e vaksinës

“Cila është dinamika e duhur dhe cila ka qenë e mos duhura nga tri proceset për sigurimin e vaksinës COVID, atë me Komisionin Evropian e cila tashmë vetëm ka marrë finalizimin për ardhjen e vaksinës, pjesa tjetër me COVAX pas dorëzimit të detyrës time me datën 23 menjëherë ka ardhur konfirmimi i datës 17 mars dhe të dielën janë pranuar vaksinat dhe cila ka qenë këtu dinamika e shtuar përpos asaj e pritjes e cila ka qenë e plotësuar dhe e rregulluar dhe e gjitha e aranzhuar. Pjesa tjetër po ashtu me datën 30 mars në ora 17:39 kam marrë konfirmimin tjetër nga COVAX i cili është përcjell tek ju në 17:54. Do të thotë kjo ka qenë dinamika për t’iu njoftuar juve për ardhjen e kontingjentit të dytë të vaksinave. Edhe me Pfizer me datën 30 mars ka ardhur konfirmimi që a mund t’iu dërgojmë kontratën finale, të njëjtën është përcjell me 31 mars në orën 17:03 minuta tek ju me ngutin më të madhe dhe me gëzimin më të madh për sigurimin e vaksinës. Cila është dinamika e duhur që e keni shtuar z.Vitia nga ajo ditë në ditën e sotme”, tha ai.

Atij i është përgjigjur ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, i cili tha se duhet të presin edhe pak kohë për të parë se cila është dinamika dhe çka është bërë në fund, derisa tha se në lidhje me COVAX ka qenë gjithçka siç duhet.

Vitia: COVAX jam plotësisht dakord kanë qenë të gjitha si duhet

“Sa i përket pjesës së dinamikës së shtuar, po të gjitha COVAX jam plotësisht dakord kanë qenë të gjitha si duhet dhe ne i kemi vazhduar me atë dinamikë e cila ka qenë dhe i ka pru 24 mijë dozat e para dhe presim 76 mijë doza shumë shpejt. Sa i përket pjesës tjetër të dinamikës me kompaninë prodhuese e para është një keqinformim prapë butësisht të them, nuk është kontrata finale e dini edhe ju, është një para kontratë. Kështu që, kur të thuash kontrata finale është një keqinformim, kurse për pjesët tjera të shtimit të kësaj dinamike unë besoj që atë sikur thash edhe dje të presim vetëm edhe pak kohë edhe do ta shihni çfarë dinamike është shtuar edhe çfarë është bërë në fund. Do të thotë dinamika e shtuar

Mirëpo, Vitia ka folur për udhëzimin administrativ të nënshkruar nga Zemaj, e për të cilin tha se do ta pamundësonte ardhjen e vaksinave në Kosovë.

Vitia: Nuk do t’iu kishte mundësuar hyrjen e vaksinave në Republikën e Kosovës

“Udhëzimi administrativ i nënshkruar nga ministri paraprak dhe fatmirësisht jo i publikuar në gazetën zyrtare, me gjithë qëllimin e mirë që mund ta ketë pasur edhe kabineti edhe qeveria paraprake nuk do t’iu kishte mundësuar hyrjen e vaksinave në Republikën e Kosovës sipas atij udhëzimi. Është shumë mirë që kemi farmacistë edhe kemi ekspert të jashtëzakonshëm te ne dhe është kënaqësi që kemi ekspert të tillë që kanë identifikuar, prapë po them nuk paragjykojë fare, jam shumë i sigurt se nuk është bërë me asnjë qëllim të keq, mirëpo gabimet teknike sidomos në thirrje të neneve të ligjit në nene të caktuara nuk do t’i kishin hapur rrugë ardhjes së vaksinës në Kosovë. Këtë ju garantoj”, tha ai.

Mirëpo, kjo sipas ish-ministrit të Shëndetësisë Armend Zemaj, nuk është e vërtetë.

Zemaj: Sa i përket lejimit të ardhjes së vaksinës ka qenë gjithçka në rregull

“Korrektësia juaj e përgjysmuar prapë nuk po ndihmon në transparencën e kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës. Ajo çka e konfirmuat është që këto tri procese qoftë në koha nga qershori dhe qoftë në kohën e fundit janë udhëhequr në dinamikën e duhur, mos thuaj më në dinamikën e mos duhur, të jemi korrekt. Sa i përket udhëzimit administrativ nëse ekspertët e ministrisë janë ballafaquar me ekspertë të ministrisë është çështje tjetër, nuk e di që ka ekspert të tjerë brenda atij sektori apo sektorë që janë përgjegjës për hartimin e udhëzimeve administrative. nuk e di se si ta kanë deleguar, por unë mendoj dhe prapë mbes prapa atij qëndrimi sa i përket lejimit të ardhjes së vaksinës ka qenë gjithçka në rregull”, tha Zemaj. 

***

​Lekaj-Kurtit: Zgjedhjet në Shqipëri i humbe - ka ardhur koha të vaksinohet populli

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Pal Lekaj, ka kritikuar Qeverinë Kurti 2 për mungesën e planit qeverisës për tejkalim të krizës ekonomike në Kosovë.

Ai në seancën e sotme të Kuvendit ku po debatohet rreth gjendjes me pandeminë, tha se fatmirësisht zgjedhjet në Shqipëri kanë përfunduar dhe se tani presin që kryeministri Albin Kurti të interesohet për gjendjen e rënduar nga COVID-19 në Kosovë.

Lekaj: Ka ardhur koha të vaksinohet populli pasi njerëzit dhe ekonomia e këtij vendi po vdes

“Zgjedhjet në Shqipëri i humbe, analizat i ke bërë, humbjet financiare i shkaktove. Ka ardhur koha të vaksinohet populli pasi që njerëzit dhe ekonomia e këtij vendi po vdes. Kryeministër, ke filluar mbrapshtë duke dëmtuar shtresën më të ndjeshme të Kosovës, ndalesa e shtesave për pensionistët ishte vendimi më i dëmshëm që ka mundur t’i bëni pensionistëve të Kosovës”, tha Lekaj.

Lekaj tha se kërkojnë që të revokohet vendimi për uljen e shtesave të pensionistëve.

***

​Ismaili e Vitia përplasen për vaksinat

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili ka thënë se  ministri i Shëndetësisë ka mungesë të planit rreth vaksinimit të qytetarëve të Kosovës kundër Covid-19.

Në debatin parlamentar ku po diskutohet rreth situatës së krijuar nga pandemia, ish-ministri i Shëndetësisë ka thënë se tashmë dihet që do të arrijnë vaksinat, por po mungon plani i vaksinimit.

Ismaili: Nuk po tregohet një plan rreth vaksinimit

“Asnjëherë nuk po tregohet një plan, ne e dimë që po vjen vaksina sepse do të vjen, unë edhe dje e kam thënë ka me ardh, do të vjen nuk ka qare pa ardh, asnjë lloj plani kur do të vaksinohen njerëzit, ku do të vaksinohen kur janë afatet e vaksinimit, sa njerëz i shihni të vaksinuar në muaj, çfarë metodologjie të informimit do të përdorni, sa ka pas rezistencë në këtë mostrën e vogël 25 mijë, çka kanë qenë mësimet që i keni marrë prej këtyre 25 mijë vaksinave, asgjë bre nuk po jepni, bash hiç asgjë. Vjen, e kam gjet ministrinë kështu, jo ky ka punuar ky nuk ka punuar, nuk jemi ne në pozicion, të fundit në vaksinë e me këqyr a ka punua Armend Zemaj a nuk ka punua”, ka thënë Ismaili.

Ndërsa ministri i shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se garanton qytetarët që shumë shpejtë do të arrijnë vaksinat.

Vitia: Nga muaji maj nuk do të ndalet procesi i ardhjes së vaksinave

“Nuk kishin ardh pa ua bërë hyzmetin, edhe do të vijnë sepse jemi duke ua bërë hyzmetin, në anën tjetër, plani i vaksinimit është plan publik bre zoti Ismaili, është plan publik të cilin e dini edhe ju dhe është plan që do të vazhdojë dhe do të bëhët pa asnjë problem në momentin që do të vinë vaksinat, e nga muaji maj, prap po them, kur të fillojë procesi i ardhjes së vaksinave, ky proces nuk do të ndalet”, ka thënë Vitia. 

***

​KOSTT kërkon 11 milionë euro për pagimin e rrymës për serbët në veri, përplasen pozitë dhe opozitë në Kuvend

Kompania publike KOSTT ka kërkuar nga Qeveria dhe Kuvendi edhe 11 milionë euro për mbulimin e humbjeve për prodhim të energjisë në pjesën veriore të Kosovës.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, gjatë një raportimi në Komisionin parlamentar për Ekonomi, e ka quajtur këtë kërkesë sfidë të madhe, por ka thënë se kjo është e trashëguar. Ajo ka thënë se Qeveria po e harton një plan për të zgjidhur për kohë afatgjate problemin.

Rizvanolli: Po shikojmë burimet e financimit, por synojmë të rregullojmë këtë me një plan afatgjatë

“Brenda këtij buxheti nuk janë planifikuar më mjete, Ministria e Financave është duke u munduar të gjejë forma alternative. Është konsideruar gjithashtu edhe Fondi i Veriut, mirëpo deri në këtë moment nuk është arritur të gjendet ndonjë zgjidhje për këtë çështje. Në këtë moment nuk mund të jap përgjigje në këtë pyetje. Sa i përket planit, plani final nuk ekziston, jemi duke u koordinuar së pari me të gjitha ndërmarrjet, rregullatorin, për ta aktivizuar grupin punues dhe për të pasur plan, i cili është i realizueshëm dhe parasheh një zgjidhje afatgjatë, e cila sigurisht se nuk do të jetë e lehtë”, tha Rizvanolli.

Ministrja para deputetëve ngriti edhe çështjen e rritjes së shpenzimeve të energjisë në veri nga viti në vit, e cila po dyshon se kjo për shkak të aktiviteteve ilegale me kriptovaluta.

Rizvanolli: Rritja e konsumit është natën si pasojë e aktiviteteve biznesore ilegale

“Rritja e konsumit është si pasojë a aktiviteteve biznesore jo legale, përmenden edhe kriptovalutat, por nuk jam e sigurt për këtë. Jemi informuar se ka një anomali të konsumit të energjisë elektrike, sepse derisa në pjesën tjetër të vendit konsumi bie natën, ndërsa në veri nuk kemi ulje në masë të tillë sikur në pjesën tjetër”, tha ministrja Rizvanolli.

Kryesuesi i Bordit të KOSTT-it, Jeton Mehmeti, në këtë raportim arsyetoi kërkesën financiare, i cili tha se KOSTT-i nuk ka pasur mundësi të prodhojë energji për humbjet në pjesën veriore të Kosovës. Për këtë ka kërkuar mbështetjen nga Kuvendi dhe Qeveria.

Mehmeti: Kërkojmë rekomandim se si të tejkalohet gjendja emergjente deri në një vendim të qeverisë

“Meqenëse çështja është shumë emergjente për KOSTT-in kemi pasur takime të vazhdueshme me përfaqësues të Qeverisë dhe pas komunikimeve të shumta ne shpresojmë se edhe pas këtij takimi me Komisionin e këtij kuvendi që është në cilësinë e aksionarit të merren masa apo të na rekomandoni se si të tejkalohet gjendja emergjente deri në një vendim të qeverisë. Duke pasur parasysh se ne veç kemi hyrë që nga fillimi i muajt prill në një situatë në të cilën ne nuk mundemi me garantuar me mbajtur balancimin e sistemit elektro-energjetik të Kosovës”, tha Mehmeti.

Kryetari i Komisionit Ferat Shala theksoi se në kërkesën e KOSTT janë në pyetje 11 milionë euro për vitin 2021 sikur që janë ndarë edhe vitin e kaluar prej 10 milionë euro nga Qeveria Kurti 1. Deputeti Shala theksoi në këtë raportim të ministres nuk mori përgjigje se a do ta paguaj energjinë elektrike.

Shala: S’mora përgjigje se a do ta paguajë kjo qeveri shpenzimet e rrymës në veri

“Nga ajo që dëgjova deri më tani, ne nuk morëm përgjigje dhe nuk besoj që ka marrë përgjigje edhe KOSTT-i që Qeveria, ku letra i dërgohet, a do ta paguajë kërkesën qe ka bërë KOSTT-i apo jo? Janë në pyetje 11 milionë euro pas 10 milionëshit që Qeveria Kurti 1 ka paguar, pra a do ta paguajë edhe këtë këst prej 11 milionë eurosh për vitin që jemi?”, tha Shala.

Në këtë mbledhje që zgjati gati dy orë, janë përplasur deputetë nga pozita dhe opozita për çështjen shpenzimit të energjisë elektrike në katër komunat veriore.

Shefja e GP të Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari ngriti dyshimet për keqpërdorimin e shpenzimit të energjisë në veri edhe nga, siçu shpreh ajo, disa banditë shqiptarë për investime në kriptovaluta në atë pjesë.

Ndërsa, deputeti Pal Lekaj nga AAK duke thënë se duhet të ndërpritet pagesa e rrymës në veri nga Qeveria, tha se është turp nga deputetja Kusari Lila të quhen shqiptarët banditë për atë pjesë.

Lekaj: Nuk duhet të quhen shqiptarët banditë, duhet të kërkosh falje

“Më shtyri prapë të reagoj deputetja Kusari-Lila, e cila i quajti banditë disa shqiptarë pa emër pa mbi emër. Dhe t’i quash qytetarët shqiptarë banditë, mendoj se është e pakuptimtë dhe duhet të kërkojë falje, por jo kështu. Nëse unë i them dikur banditë, e them me emër dhe mbiemër, si dhe e them vendin ku ka keqpërdorë energjinë elektrike, dhe jo paushall. Kjo është e pakuptimtë për një zonjë që i ka marrë 15 mijë vota. Të lutem, e theksova vetë kështu! Nëse është dikush është Pal Lekaj, thuaje, por jo kështu. Është për të ardhur keq”, tha Lekaj.

Kusari-Lila i ka quajtur banditë keqpërdoruesit e rrymës në veri, siç tha qofshin shqiptarë ose serb për kriptovaluta.

Kusari-Lila: Banditë janë, qoftë shqiptarë, qoftë serb që keqpërdorin rrymën për kriptovaluta

“Je një deputet që e bastardon secilin debat në Kuvend. A ke mundësi të përmbahesh në diskutim? Pal, jemi duke folur për energji, tash ata që e keqpërdorin, ja ku e ke linkun e vitit 2018, se kush keqpërdorë pronën. Leje që s’po mund të shkohet te serbët që bëjnë keqpërdorime... prezencë e bandave e kontrabandistëve e krejt... tash e kemi gjetur edhe një shtesë se s’i kemi bërë dëm boll këtij shteti. Hajde, tash të shkojmë ta shfrytëzojmë edhe energjinë elektrike. Banditë janë, qoftë shqiptarë, qoftë serb, emrat ia ngjet polica dhe prokuroria. Kjo tregon se kanë shkuar njerëz atje veç, për kriptovalutat, bitcoin shkojnë e shtypen aty ku ka nevojë për shumë rrymë natën”, theksoi Kusari Lila.

Edhe deputetë të tjerë kanë kundërshtuar vazhdimin e pagimit të energjisë elektrike për qytetarët me shumicë serbe në katër komunat veriore.

Ndërsa, kryeshefi ekzekutiv i KOSTT-it, Mustafë Hasani, tha se kjo kompani përballet me dy alternativa, ta paguajë vetë ose ta blejë energjinë deri në zgjidhjen afatgjate. Sipas tij, pagesën do ta bëjnë gjithsesi dhe nuk do ta pezullojnë marrëveshjen me ENTSO-E.

Pas raportimit të Bordit dhe drejtorit ekzekutiv të KOSTT për kërkesën e tyre financiare, komisioni ka ndërprerë punimet dhe ka shtyrë mbledhjen me pikat tjera të rendit të ditës për nesër për shkak të vazhdimit të seancës për debatin e lidhur me gjendjen e pandemisë COVID-19 në Kosovë.

***

Vitia: Astrazeneca e sigurt, s`ka pasur efekte anësore te 24 mijë persona

Ministri i Shëndetësisë ka folur edhe vaksinën AstraZeneca për të cilën ka thënë se është sigurt dhe do të vazhdojnë ta marrin.

Vitia ka thënë se nga 24 mijë vaksinat e para nuk ka pasur efekte serioze. Ai ka folur edhe situatën për mungesën e barnave të cilën e ngriti deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati.

“Bashkëpunimi me Odën e Farmacistëve është i jashtëzakonshëm dhe na ka ndihmuar të bëjmë ndryshime në kornizë ligjore. Zotëri Kastrati jam shumë koshient që nuk ka barna mjaftueshëm dhe kam potencuar se bashkë me bankën botërore për këto probleme. Për 30 ditë me ministri të Financave dhe miqtë tanë jemi në rrugë të mirë ta anashkalojmë këtë problematikë”.

“Unë garantojë qytetarët se  vaksina AsrtaZeneca është e sigurt dhe çdo dyshim i ngritur nuk është mirë të ngritët sepse asnjë studim nuk thotë që duhet të largohet. Ne do ta marrim sepse nuk kemi efekt serioz për 24 mijë doza që janë marrë”, tha Vitia.

 ​​​Musliu: Qeveria ka buxhet për të blerë vaksinat anti covid por janë të paaftë në menaxhim

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu tha sot në debatin parlamentar për menaxhimin e pandemisë se tash e 1 vit qytetarët e Kosovës janë ballafaquar me sfida të ndryshme si shëndetësore por edhe ekzistenciale në aspektin ekonomik.

“Është e qartë se lufta kundër pandemisë është e vështirë dhe kërkon angazhimin e secilit prej nesh. Ne jemi gati për bashkëpunim por qasja e qeverisë është qasje selektive dhe qasje jo transparente, jo vetëm në raport me partitë tjera, por edhe në raport me qytetarët, votën e të cilëve e mori për të udhëhequr këtë vënd”, tha Musliu.

Ajo tha se shteti i Kosovës ka buxhet të mjaftueshëm për blerjen e vaksinave por nuk ka njerëz të aftë që menaxhojnë shtetin që e kanë detyrë ta sigurojnë vaksinën.

“Është fatkeqësi për vëndin se si kjo qeveri nuk ka guxim të negocioj bindshëm dhe serioz me kompanitë të cilat prodhojnë vaksinën dhe të siguroj dozat e mjaftueshme për qytetarët tanë. Dhe më e keqja është se kjo qeveri, dështimet e veta në këtë drejtim, i shet në opinion si akte top sekrete, pra duke e eleminuar edhe transparencën dhe bashkëpunimin”, tha Musliu.

Deputetja e PDK-së Ganimete Musliu po ashtu ka pyetur ministrin Arben Vitia se si është e mundur që të mbyllet gastronomia e të lihen hapur të gjitha bizneset tjera? Si është e mundur tu ndalohen të hyrat një numri të madh të qytetarëve pa e pasë një plan për ndihmë.

“Shihet haptazi se kjo qeveri nuk e ka dhe as që synon të marrë situatën nën kontroll. Pandemia, përvec që merr jetë, po shkakton edhe dëme serioze në ekonomitë familjare. Përballja e qytetarëve me pandeminë, humbja e vendeve të punës, nxjerrja e vendimeve ad hoc. etj. kanë futë qytetarët në borxhe dhe cka është më e rënda, qeveria nuk po jep as shenja minimale që ka një plan për tju kundërvy këtyre dëmeve, thuajse qeverisja nënkupton sfilata mediale dhe propaganda filozofike, thuajse qeverisja nuk ka asnjë lidhje me ekonominë. Por qeveria duhet ta dijë se dëmët që u janë shkaktuar bizneseve dhe dëmet që i janë shkaktuar popullit do të jetë vështirë të rregullohen. Stabiliteti ekonomik është një faktor i rëndësishëm edhe për stabilitetin shëndëtësor fizik dhe psiqik. Frika nga virusi, vdekja e të dashurve, humbja e burimeve të të ardhurave, po i sjell qytetarët në kufijtë e asaj që njeriu mund të durojë. Dhe reagimi i kësaj qeverie ishte, mbyllja e gastronomisë, ora policore natën dhe ndalesa e 20 eurove të pensionistëve, në ndërkohë që shkalla e ankthit, depresionit dhe rraskapitjes është rritur ndjeshëm”, tha ajo.

Sipas deputetes Musliu, një të infektuari me Covid, trajtimi ditor po i kushton 100 deri 150 Euro, duke i thënë qeverisë të llogarisin se sa është shuma që çdo qytetarë shpenzon për terapi deri në shërim, ndërkohë që një i infektuar si ndihmë merr vetëm 50 Euro nga komuna.

Deputeti i AAK-së kritika qeverisë: Nuk janë vaksinuar as 1% e popullsisë, kjo është tragjedi

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha ka drejtuar kritika në drejtim të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia rreth menaxhimit të pandemisë dhe mungesës së vaksinave anti-Covid. Berisha, në debatin parlamentar ku po diskutohet mbi situatën e krijuar nga pandemia, ka thënë se është tragjedi për popullin e Kosovës fakti që deri tani nuk janë vaksinuar as 1% e popullsisë.

Berisha: Qeveria Kurti premtoi vaksinimin e 50% të qytetarëve, nuk janë vaksinuar as 1%

“Ju patët premtuar se në gjashtë mujorin e qeverisjes suaj së paku 50% e qytetarëve të Kosovës do të kenë qasje dhe mundësi për vaksinim, por tani kur janë bërë një muaj nga qeverisja juaj as 1% e popullsisë së Kosovës nuk është vaksinuar. Kjo zotëri ministër është tragjedi për popullin e Kosovës, mbase për juve mund të jetë edhe ironi sepse ironia nuk është ndryshe përveç se mos kryerje e detyrave me të cilat je i ngarkuar dhe rrjedhimisht edhe tallje me vullnetin e popullit të Kosovës”, ka thënë Berisha.

Berisha ka thënë se masat kufizuese të ndërmarra nga Qeveria Kurti kanë qenë të panevojshme dhe kanë dëmtuar qytetarët dhe bizneset.

Berisha: Masat kufizuese të ndërmarra nga qeveria nuk mund të quhen masa por kotësira

“Me të drejtë mund të pyesim si mund të quhen këto masa kur qysh në fillim dihej se nuk mund të jepnin as një rezultat. Këto mund të quhen kotsëira apo siç thotë populli kur nuk ke çka bën lëvize derën, prandaj qeveria Kurti me masat e fundit veç e ka lëvizë derën, asgjë më shumë. Numrin e personave të infektuar janë ata që kanë qenë dy tre javë më parë, ajo që ka ndryshuar është vetëm numri më i vogël i testimeve dhe kjo sipas gjasave është bërë me porosi të dikujt nga pushteti dhe humbje milionëshe në ekonominë e Kosovës”, ka thënë ai.

Berisha ka thënë se përveç shëndetësisë, Kosova është në situatë të rëndë edhe sa i përket ekonomisë.

***

Kastrati: Fakti që Kurti e ka bërë prioritet numër një dialogun tregon se nuk e ka hallin e njerëzve

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Ardian Kastrati, tha se kryeministri Albin Kurti nuk e ka hallin e njerëzve që po përballen me pandeminë COVID-19 derisa e ka bërë dialogun prioritet numër një.

Ai në debatin parlamentar që po mbahet për gjendjen me pandeminë COVID-19 në Kosovë, tha se qeveria aktuale është e paaftë për të menaxhuar kriza siç është kjo me COVID-19.

Kastrati: Sot e ka bë prioritet numër një dialogun tregon që nuk e ka hallin e njerëzve

“Njerëzit për të janë njerëz kur i duhen për vota, në momentin kur ia japin votat nëse njerëzit kanë nevojë për të ai i len të vdesin, siç i ka lënë me vdekë dje, pardje e që dy javë ditë marrja e Zotit t’u u sill me gota të verës e me alkool nëpër Fier e nëpër Laç e nëpër Durrës...Fakti që ai nuk ka qenë këtu dje, sot e ka bë prioritet numër një dialogun tregon që nuk e ka hallin e njerëzve”, tha ai.

Kastrati tha se në krye të emergjencave nuk është kryeministri, pasi sipas tij, ishte në krye të tavolinave ku pihej verë e alkool në Fier, Laç e Durrës.

Kastrati: kryeministri ishte në krye të tavolinave ku pihej verë dhe alkool

“Në krye të emergjencave nuk e kemi kryeministrin, në krye të emergjencave duhet të jetë kryeministri dhe kryeministri ishte në krye të tavolinave ku pihej verë dhe alkool nëpër Fier, nëpër Laç, nëpër Durrës për fushatë të Republikës së Shqipërisë. Tani çështja nuk është pse ishte në Shqipëri, sepse u përmend edhe dje, po pse është në Shqipëri, është në Shqipëri sepse zgjedh të njëjtën strategji që e ka zgjedh edhe në Kosovë që 15 vite me shkaktua kaos politik, sepse është i ndërtuar përmes kaosit politik, sepse është i ndërtuar përmes koncepteve të linçimeve, sepse është i ndërtuar përmes sharjeve, mitralozave verbal dhe gjuhës toksike që e ka mbjell mes nesh në shoqëri. Por, në Shqipëri nuk i doli ky kalkulim dhe ky formulim”, tha ai.

***

Kuvendi i Kosovës ka nisur punimet e seancës së sotme plenare me një minutë heshtje në nderim të personave të zhdukur dhe atyre të vrarë nga policia e ushtria serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë. Kjo u bë në shënim të Ditës Kombëtare të Personave të Pagjetur dhe përvjetorit të Masakrës së Mejës.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci derisa ka hapur punimet ka kërkuar nga deputetët që të nderojnë të gjitha viktimat.

Bogujevci: Një minutë heshtje në shenjë respekti për të gjitha viktimat

“Sot është 27 prilli, është dita kombëtare e të zhdukurve gjatë luftës në Kosovë, po ashtu është edhe dita e përkujtimit të të rënëve të Masakrës së Mejës në komunën e Gjakovës, kisha lutë të gjithë të pranishmit të mbajmë një minutë heshtje ndaj respektit të të gjitha viktimave”, ka thënë Bogujevci.

Seanca e sotme të Kuvendit të Kosovës është vazhdim i debatit të djeshëm parlamentar lidhur me situatën e krijuar nga pandemia me Covid-19.

***

Deputetët e Kuvendit kanë mbërritur në vazhdimin e seancës ku do të debatohet gjendjen me pandeminë dhe sigurimin e vaksinave anti-Covid, kjo pas  kërkesës së Partisë Demokratike të Kosovës.

I pranishëm në këtë seancë është edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Gjatë ditës së djeshme, deputetët e opozitës kanë akuzuar Qeverinë për keqmenaxhim të situatës me pandeminë.

Ndërsa ministri i Vitia tha se gjendja është nën kontroll, ndërsa ka shtuar se është i gatshëm të jap dorëheqje nëse vërtetohet se ka refuzuar nënshkrimin e vaksinave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat