Nën udhëheqjen e ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati është mbajtur sot takimi i radhës i Komisionit të Granteve, ku u diskutua dhe u aprovua financimi komunal për vitin 2022.
Ministri Murati tha se drafti për financimin komunal për vitet 2022-2024 të cilin kërkoi ta shqyrtojnë dhe miratojnë sot në këtë takim të Komisionit të Granteve, bazohet në legjislacionin e financave publike në Kosovë.
Ai tregoi se granti i përgjithshëm është kalkuluar duke marrë për bazë parashikimet nga Tabela 1 e Departamentit të Politikave Ekonomike, Publike dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar Financiar në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve.
Granti i arsimit para-universitar është kalkuluar duke marrë për bazë propozimin nga MASHTI-i, ndërsa granti i shëndetësisë dhe politikat e reja janë kalkuluar duke marrë për bazë propozimin nga Ministria e Shëndetësisë.
Të hyrat vetanake janë parashikuar duke u bazuar në të dhënat e pranuara nga Departamenti i Tatimit në Pronë për tatimin në tokë dhe pronë, si dhe mesatarja e inkasimit të hyrave jo tatimore në tri vjetët e fundit.
Në takim janë aprovuar edhe elemente tjera të financimit komunal, si pjesë e financimit të tërësishëm të komunave për vitin 2022.
Aprovimi i sotëm i financimit komunal për vitin 2022 nga ana e Komisionit të Granteve do të bëhet pjesë e dokumentit të Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve 2022-2024, dokument i cili pritet të aprovohet gjatë kësaj jave në Qeverinë e Kosovës.