Diplomatët e Gjermanisë dhe Francës mohuan të martën të kenë hartuar ndonjë dokument për rrugën e përmbylljes së procesit të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dokumenti që u publikua në mediat në Kosovë, flet për themelimin e një "distrikti autonom” në veriun e Kosovës si dhe që Kosova dhe Serbia të njohin tërësinë tokësore dhe sovranitetin e njëra tjetrës.
Në dokument mes tjerash thuhet se Kisha Ortodokse Serbe do të këtë “status të privilegjuar”, ndërsa Serbia, pas ratifikimit të marrëveshjes ligjërisht detyruese “nuk do ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe rajonale”.
Sipas një medies vendore dokumenti joformal (non-paper), pretendohet se është përgatitur nga Gjermania dhe Franca, si një nismë për përmbylljen e bisedimeve Kosovë – Serbi. Gazeta shkroi se nuk ka mundur ta konfirmojë vërtetësinë e dokumentit, "por disa diplomatë... pak a shumë kanë konfirmuar se pikat që përmenden në të janë në përputhje me ato që pritet të diskutohen në dialog".
The so called “German-French non paper” published by Koha Ditore is fake news! There might be a paper but it’s for sure not a German-French one. Our full support is for the EU-led dialogue led by EUSR @MiroslavLajcak as German FM Maas again underlined last Thursday in Pristina
— Ambassador Jörn Rohde (@GermanAmbKOS) April 27, 2021
Por, të martën, ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, shkroi në rrjetet sociale se “i ashtuquajturi ‘non-paper’ franko-gjerman, i publikuar nga media është lajm i rremë. Mund të ketë dokument, por sigurisht që nuk është franko-gjerman. Ne e përkrahim plotësisht dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe Miroslav Lajçak, siç e theksoi përsëri ministri i Jashtëm i Gjermanisë, (Heiko) Maas, të enjten e kaluar në Prishtinë”, shkroi ai.
Ambasada franceze shkroi më pas se “Franca dhe Gjermania nuk janë burimi i të ashtuquajturit ‘non-paper’ franko-gjerman të botuar sot në media. Ne mbështesim plotësisht ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, dhe mirëpresim përpjekjet e bëra në këtë drejtim nga përfaqësuesi i posaçëm i ngarkuar më bisedimet Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajçak”.
La France et l’Allemagne ne sont pas à l’origine du prétendu non-papier franco-allemand publié aujourd’hui par Koha Ditore. Nous soutenons pleinement la médiation de l’UE et saluons les efforts entrepris en ce sens par le Représentant spécial chargé du dialogue Bg-Pr, M. Lajcak. pic.twitter.com/pDFi8McrZz
— France au Kosovo (@FranceauKosovo) April 27, 2021
Bashkimi Evropian tha dokumenti i pretenduar “nuk paraqet qëndrimin e BE-së” dhe zyrtarët në Bruksel “nuk e kanë marrë e as parë një dokument të tillë”.
Në Beograd, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha se dokumentin e hartuar dikush që është “shumë i mençur”.
“Ka gjëra të cilat do iu kishin pëlqyer serbëve, por aty është edhe një gjë, të pranohet pavarësia e Kosovës, e që është shumë e keqe për serbët”, tha ai.
Të martën mbrëma presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se “të ato ‘non-papers’, që kanë përbrenda ide destabilizuese për rajonin tonë e kanë vetëm një̈ burim: Serbinë̈”.
Të gjitha ato “non-papers”, që kanë përbrenda ide destabilizuese për rajonin tonë e kanë vetëm një burim:...
Posted by Vjosa Osmani on E martë, 27 April 2021
Në një postim në rrjetet sociale ajo shkroi se “kjo është strategji e vjetër e Serbisë̈, e përsëritur tani me qëllim që një qasje e tillë të normalizohet e të bëhet pjesë e debatit të përditshëm, e pastaj edhe e agjendës së dialogut, kërkesë kjo e rrezikshme dhe destabilizuese e saj, por dhe e Rusisë. Prandaj, të mos bijmë në kurthin e tillë. Të kemi besim në aleatët tanë, por mbi të gjitha të kemi besim në vetveten. “Non-papers” të tillë lëre që refuzohen nga ana jonë, por as nuk do të mund t'i përcaktojnë veprimet tona e as mbarëvajtjen e dialogut”, shkroi mes tjerash presidentja Osmani.
Më herët gjatë këtij muaji, u ngritën debate pas shkrimeve në mediet kroate e boshnjake për një dokument joformal me siç thuhet, propozimin për ndryshimin e kufijve ne Ballkan. Sipas tyre një dokument i tillë i hartuar nga kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, propozon ripërcaktimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor si zgjidhje për problemet e hapura në rajon.
Në Bashkimin Evropian thanë disa herë se nuk kanë njohuri për një dokument të tillë, ndërsa kryeministri slloven, Janez Jansha, vendi i të cilit do të kryesojë Bashkimin Evropian në pjesën e dytë të këtij viti, shkroi se pretendimet për një dokument të tillë janë veprime që synojnë “të dëmtojnë Slloveninë në BE”.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, tha se “spekulimet e panevojshme kohët e fundit për ndryshim kufijsh në Ballkan në bazë të linjave etnike kërcënojnë të sjellin destabilitet në rajon dhe zgjojnë jehonën e tensioneve të mëparshme. Një e ardhme e stabilizuar, e begatë për Ballkanin Perëndimor duhet të bazohet tek qeverisja e mirë, sundimi i ligjit, demokracia shumetnike dhe respekti për të drejtat e njeriut dhe liritë themelore”, tha ai duke komentuar debatet e ditëve të fundit.
Në deklaratën e zëdhënësit thuhet me tej se “Shtetet e Bashkuara mbeten të gatshme të mbështesin përpjekjet për një marrëveshje detyruese, gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, të bazuar tek njohja e ndërsjellë, e cila të shërbejë si themel për bashkëpunim dhe begati të qëndrueshme”.
Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pritet të vazhdojnë në muajin maj.
Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur në vitin 2008, por të dyja palët janë të detyruara të kërkojnë një marrëveshje normalizimi si kusht për integrimet evropiane. /VOA