Deklarata për kufijtë e Kosovës, Kurtit i vjen përkrahje nga ish-deputetja e LDK-së

Aktuale

Deklarata për kufijtë e Kosovës, Kurtit i vjen përkrahje nga ish-deputetja e LDK-së

Nga: A.Zh Më: 28 prill 2021 Në ora: 15:37
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, gjatë vizitës së tij në Bruksel, ka thënë se Kosova nuk do të lejojë shkëmbim territoresh dhe as bosnjëzim.

Ai ka thënë se Kosova nuk ka dilema dhe se duhet të shkojë drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike.

“Nuk mund të lejojmë as ringjalljen e projekteve të dështuara për shkëmbim territorial e as të atyre për bosnjëzimin e Kosovës. Kosova nuk e ka shpallur pavarësinë para një viti, por para 13 vjetëve. 4 vitet e para pas shpalljes së pavarësisë ishte pavarësi e mbikëqyrur ndërkombëtarisht. Duhet të shkojmë drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike. Kosova nuk ka dilema”, ka thënë kryeministri Kurti.

Atij në përkrahje për këtë deklaratë i ka dal ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës Alma Lama.

Ajo ka thënë se askush nuk duhet të luajë me territorin e Kosovës, pasi Serbia nuk do ta pranojë Kosovën si shtet të pavarur.

“Po pra, nuk na hyn në pune shpëtimi i lëkurës së Vuçiqit, apo dikur i Tadiqit. Askush nuk duhet të luajë me territorin e Kosovës. Kompromiset janë bërë në 2007. Kompromise Ahtisari plus janë bërë në 2013 dhe asgjë nuk kanë zgjidhur, pasi Serbia s’do ta pranojë asnjëherë Kosovën si shtet të pavarur”, ka shkruar Lama në një postim në Facebook.

Ish-ambasadorja e Kosovës në Itali, i ka dhënë edhe sugjerime kryeministrit Kurti për dialogun në Bruksel.

“Kurti duhet të përcaktojë vijat e kuqe dhe të mos refuzojë dialogun blanco, por me argumente që janë të gjitha në anën e Kosovës. Koha për t’i treguar vendin Serbisë në dialog, njëherë e mirë”, ka shkruar Alma Lama./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat