“Sa ishte opozitë e kundërshtuan, tash në pushtet po...” LDK akuza të rënda ndaj Vetëvendosjes

Aktuale

“Sa ishte opozitë e kundërshtuan, tash në pushtet po...” LDK akuza të rënda ndaj Vetëvendosjes

Nga: P.R Më: 28 prill 2021 Në ora: 19:04
Lumir Abdixhiku

Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes një komunikate për media ka reaguar ndaj vendimit të marr sot në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti.

“Lëvizja Vetëvendosje, sa ishte parti opozitare, për disa vite rresht e me plot ngulm kishte kundërshtuar një veprim të tillë. Madje, në kohën tonë të përbashkët opozitare, kishim bashkëorganizuar interpelancë ndaj qeverisë së PAN-it; e cila kishte nisur këtë praktikë. Tani që është në pushtet, veprimet kundërshtuese - të opozitës së dikurshme tani me pushtet absolut - duket se janë tjetërsuar në tërësi. Sërish, edhe një herë e për të satën herë në këtë fillim, premtimet e kauzat opozitare të tyre dalin të jenë mashtrim.”, thuhet në komunikatën e LDK-së, përcjellë “Bota sot”.

Kujtojmë se propozimi i deputetes Mimoza Kusari-Lila, i cili mori mbështetjen e Komisionit me 6 vota për, ishte që KOSTT-i të marrë përgjegjësinë për pagesën e rrymës edhe për gjashtë muajt e ardhshëm dhe të mos obligohet Qeveria për këtë.

Sipas saj, obligim i qeverisë mbetet që të zgjidhë këtë çështje për shtrimin e autoritetit në fushën e energjisë brenda 6 muajve në veri.

Komunikata e plotë:

Reagim i LDK-së ndaj propozimit mbi pagesën e energjisë elektrike në veri të vendit

Propozimi i sotëm i deputetëve të Vetëvendosjes në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti që KOSTT të mbulojë shpenzimet e energjisë elektrike për konsumatorët në veri të vendit tregon qartë që Qeveria Kurti po ndërmerr të gjitha veprimet që i kishte kundërshtuar në të kaluarën.

Lëvizja Vetëvendosje, sa ishte parti opozitare, për disa vite rresht e me plot ngulm kishte kundërshtuar një veprim të tillë. Madje, në kohën tonë të përbashkët opozitare, kishim bashkëorganizuar interpelancë ndaj qeverisë së PAN-it; e cila kishte nisur këtë praktikë.

Tani që është në pushtet, veprimet kundërshtuese - të opozitës së dikurshme tani me pushtet absolut - duket se janë tjetërsuar në tërësi. Sërish, edhe një herë e për të satën herë në këtë fillim, premtimet e kauzat opozitare të tyre dalin të jenë mashtrim.

Pagesa prej 11 milionë eurove do të bëhet nga KOSTT. KOSTT është aset i qytetarëve të Kosovës; prandaj e njëjta bëhet nga xhepat e qytetarëve të Kosovës. Për më tepër, brenda këtyre gjashtë muajve Qeveria Kurti do të obligohet që përmes rishikimit buxhetor të ia kthej këto mjete KOSTT-it. Pra, pavarësisht nëse sot paguan KOSTT e pas gjashtë muajsh paguan Qeveria, paratë dalin nga pasuria e qytetarëve të Kosovës.

Ky vazhdim pagese tregon poashtu se Qeveria nuk ka plan të qartë për dalje nga kjo situatë. Deklarata e shumicës se Qeveria dorëzohet para ligjshmërisë në Veri e frika e kthimit të “policëve në arkivol” është sa skandaloze aq edhe dorëzuese; mbi të gjitha është deklaratë ofenduese për të gjitha forcat në detyrë.

Lidhja Demokratike e Kosovës do të vëzhgojë nga afër zotimet e deputetëve të Vetëvendosjes se brenda gjashtë muajsh Qeveria Kurti do të shtrijë autoritetin dhe kontrollin në katër komunat veriore duke siguruar që qytetarët atje do të paguajnë faturat e tyre të energjisë.

LDK poashtu përkujton të gjithë qytetarët e Kosovës se pavarësia energjetike e Kosovës është mbyllur tashmë dhe se qeveria e re duhet me profesionalizëm të mirëmbaj këtë pavarësi.

Departamenti i Ekonomisë dhe Biznesit

Lidhja Demokratike e Kosovës

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat