Aleanca Kosova e Re në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit ka garuar në një listë të përbashkët me Lidhjen Demokratike të Kosovës, e që një bashkëpunim i tillë është duke vazhduar.
Por, se a do të ketë bashkëpunim edhe në zgjedhjet lokale që do të mbahen në vjeshtën e këtij viti, në një intervistë flet kryetari i kësaj partie, Behxhet Pacolli.
“Sinqerisht, nuk di, ende s’kemi biseduar me LDK-në, LDK-ja është njëherë duke u konsolidua vet për arsye se ata i kanë problemet ndoshta më të mëdha se sa të AKR-së, por sidoqoftë e shoh një vështirësi për partitë e vogla që të garojnë, ne do të garojmë dhe më vjen shumë shumë keq të them edhe njëherë se mundësitë të cilat AKR-ja do t’i kishte në menaxhimin ose në udhëheqjen e një komune në këtë rast të kryeqytetit janë mundësi unikale, mundësi që asnjëherë të tjerët nuk do t’i kenë”, ka thënë Pacolli.
I, pyetur se a është ky një sinjal që vet Pacolli të jetë kandidat për kryetar të Prishtinës, ai ka mohuar një gjë të tillë.
“Unë jo, por nëse AKR-ja kushdo që është i AKR-së, do të kishte fatin ta udhëheq Prishtinën jam i bindur, dhe këtë unë ju garantoj sot që Prishtina do të jetë, do të bëhet një metropol”, është shprehur ai.
Pacolli, ka thënë se insiston që kandidat për të parin e Prishtinës të jetë vëllai i tij, Selim Pacolli, i cili aktualisht është nënkryetar i Komunës së Prishtinës.
“Unë drejtën me të thënë, shumë insistoj që vëllai im të jetë, Selimi. Ai gjatë kësaj periudhe ka punu jashtëzakonisht ka punuar jashtëzakonisht shumë si nënkryetar i komunës me krejt limitet që i ka ai, me krejt padrejtësitë që ndodhin ndoshta edhe para syve të tij për arsye se ai më tregon, edhe me krejt me ato në atë mënyrën primitive të punës që e kanë atje. Vëllai im po të ishte, nëse prej AKR-së, pranon me siguri që do të jetë ai kandidati dhe unë do ta mbështes atë, por unë nuk di më mbështet ndryshe por vetëm me vepra konkrete”, ka deklaruar i pari i AKR-së.