Kurti flet pas takimit me Stoltenberg, NATO dhe dialogu temat kryesore

Aktuale

Kurti flet pas takimit me Stoltenberg, NATO dhe dialogu temat kryesore

Më: 29 prill 2021 Në ora: 07:36
Jens Stoltenberg dhe Albin Kurti

E plotësuar (10:40): Kurti pas takimit me Stoltenberg: Prania e NATO-s në Kosovë është e domosdoshme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka takuar sot në Bruksel, Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Pas takimit Kurti ka shkruar në Twitter se prania e NATO-s në Kosovë është e domosdoshme për ruajtjen e paqes dhe ofrimin e sigurisë.

“NATO është aleanca më e madhe e sigurisë që bota ka parë ndonjëherë. Me Sekretarin e Përgjithshëm, Jens Stoltenberg theksova se prania e saj në Kosovës është e domosdoshme në ruajtjen e paqes dhe ofrimin e sigurisë, si dhe anëtarësimi i Kosovës në NATO, e bënë Evropën dhe rajonin më të sigurt”, ka shkruar Kurti.

Në anën tjetër, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka thënë se në këtë takim është folur edhe për dialogun me Serbinë.

Sekretari i NATO-s ka theksuar se dialogu është e vetmja rrugë për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme politike

“E mirëprita Albin Kurtin për të diskutuar për zhvillimet në Kosovës si dhe rëndësinë e trupave të NATO-së në kuadër të KFOR-it për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. NATO mbështet përpjekjet për rifillimin e bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit. Dialogu është e vetmja rrugë për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme politike”, ka shkruar Stoltenberg.

***

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në vazhdën e takimeve gjatë qëndrimit në Bruksel, sot do të takojë edhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Njoftimi për këtë takim është bërë publik në faqen zytare të NATO-s.

“Të Enjten, 29 Prill 2021, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Z. Jens Stoltenberg, do të takohet me Z. Albin Kurti nga Kosova në Selinë e NATO-s” thuhet në njoftim.

Kurti dje nga Brukslei ka thënë para mediave se nuk do të marrë pjesë në takimin 11 majit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të paralajmëruar nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat