Profesori i Filozofisë Politike, dhe analisti Blerim Latifi ka folur për dialogun Kosovë-Serbi.
Latifi përmes një postimi në Facebook, thotë se marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë zgjidhet nga liderët që kanë guxim të marrin vendime të vështira e jo nga “grupet e ekspertëve”.
Latifi ka shkruar se tani Kosova ka nevojë për vendimmarrje e jo vajte-ardhje në Bruksel.
Sipas tij, përfshirja në dialog që nuk përfundon kurrë, është favor strategjik për Serbinë.
Postimi i plotë:
Problemi historik midis Kosovës e Serbisë nuk mund të zgjidhet me "grupe ekspertësh" apo "ekipe teknike". Ai mund të zgjidhet veç me liderë që e lexojnë saktë momentin historik në të cilin ndodhemi dhe kanë guximin me marrë vendime të vështira historike.
Nëse të mungon ky guxim, krejt dijetarët e botës me t'i ofru, nuk kanë me të kry punë.
Makiaveli e thotë mirë: në politikë fati u buzëqesh veç guximtarëve! Kosova tash ka nevojë për vendimmarrje të guximshme historike, e jo për vajtje - ardhje të kota në relacionin Bruksel Prishtinë, siç i kemi parë tash 12 vjet.
Përfshirja në një dialog që nuk përfundon kurrë, është favor strategjik për Serbinë dhe, rrjedhimisht, një vazhdim i venitjes së heshtur të shtetit të Kosovës.