Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në takimin me Serbinë më 11 maj, i cili u paralajmërua nga përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell.
“Unë nuk marr pjesë në atë takim për të cilin nuk e kam konfirmuar paraprakisht pjesëmarrjen. Ajo çka mund të konfirmoj është se do të vij në Bruksel për ndonjë drekë ose darkë pune të konfirmuar nga Borrell ku bëjnë pjesë liderët e Ballkanit Perëndimor”, tha Kurti, i cili po qëndron në vizitë në Bruksel.
E ky veprim i Kurtit është mirëpritur edhe nga lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.
“Refuzimi i Kryeministrit Kurti të takimit të 11 majit është i drejtë. Ai takim ishte caktuar nga Borell e Vuçiq pa konsultim me palën kosovare. Takimet e formatit të tillë, duhet paraprakisht të dakordohen me institucionet e Kosovës. Praktika e dakordimit Bruksel - Beograd, duke nxjerrë Kosovën para aktit të kryer, nuk do të pranohet asnjëherë nga Kosova“, ka shkruar Ramush Haradinaj, përcjellë “Bota sot”.