Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar një vizitë dy ditore në Bruksel.
Përgjatë këtyre dy ditëve, Kurti ka pasur takime të shumta me zyrtarë të lartë të Bashkimet Evropian.
Ndër temat kryesore që u zhvilluan në këto takime ishte dialogu i Kosovës me Serbinë.
Drejtori i EPIK, Demush Shasha, ka thënë se Kurti pasi të kthehet në Kosovë duhet të takojë opozitën për të njoftuar për diskutimet kyçe të zhvilluara në Bruksel.
“Agjenda integruese dhe dialogu me Serbinë është pronësi, dhe përgjegjësi, e gjithë spektrit politik të Kosovës”, ka shkruar ai në Facebook.
Postimi i plotë:
Tani pas përfundimit të vizitës në Bruksel, Kryeministri duhet të takoj opozitën për të njoftuar për diskutimet kyçe të zhvilluara në Bruksel. Agjenda integruese dhe dialogu me Serbinë është pronësi, dhe përgjegjësi, e gjithë spektrit politik të Kosovës.
Është interesant një gjë në procesin integrues. Zakonisht partitë që kanë kundërshtuar procesin integrues sa kanë qenë në opozitë kanë përfunduar të janë mbështetësit më të mëdhaj të procesit integrues. Kësisoj në 2015 kur u ratifikua dokumenti më i rëndësishëm i procesit integrues të Kosovës (MSA), VV pat lëshu mbledhjen e Kuvendit në shenjë revolte. Sot gjatë vizitës në Bruksel, Kurti ka mbrojtur dhe promovuar rëndësinë e MSA-së për procesin integrues të vendit.
Sidoqoftë, kjo është tani histori, dhe këtë histori e kemi pa edhe në vende të tjera të rajonit – nga Kroacia e këndej. Por sëpaku duhet të mësojmë nga kjo histori dhe të kultivojmë me xhelozi konsensusin politik për procesin që gëzon mbështetjen më të madhe të qytetarëve të vendit.