Kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli ka deklaruar se shteti i Turqisë i ka ofruar vaksina Kosovës, por ato janë refuzuar nga Presidentja.
“Unë e di se Turqia na ka ofruar vaksina kineze, por ato janë refuzuar nga Presidentja Osmani duke thënë se ne duam vetëm ‘Pfizer’”, ka thënë Pacolli.
Ai ka thënë se kjo është e gabueshme, ndërsa ka theksuar se i ka shkruar personalisht edhe kryeministrit Albin Kurti.
“Unë nuk kam pasur mundësi të qëndroj duarkryq, unë i kam shkruar Kurtit pasi që vendimi për ardhjen e një vaksine duhet të bëhet direct nga Qeveria e një shteti. Unë i kam treguar se kam kontakte dhe mund të ofroj një ndërlidhje më të shpejtë mes Qeverisë dhe kompanisë në fjalë, kontaktin ma ka ofruar personalisht Edi Rama dhe kam udhëtuar e jam takuar me krerët e kompanisë”, ka thënë Pacolli.
Ai ka thënë se mund të ketë ndikim në kompaninë në fjalë, për t’i siguruar rreth 500 mijë vaksina.
Pacolli ka thënë se oferta e tij ndaj Kurtit si duket nuk do të pranohet, pasi që e Kurtin e ka kontaktuar para dy-tri javësh dhe deri më tani do të mund të siguronte një kontigjent prej 100 mijë vaksinave si fillim.