Kryeministri i Kosovës u shpreh publikisht, duke uruar homologun e tij të Shqipërisë për fitore në zgjedhje dhe e ftoi që të punonin së bashku, me një tekst të kuruar dhe gjithëpërfshirës.
Edi Rama, ende nuk ka shkruar asnjë fjalë për urimin e Albinit, edhe pse hiqet si “dashnor” i letrave dhe korespodencave me shkrim.
Tashmë zgjedhjet edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë u mbyllën: Edi Rama mori mazhorancën e qartë në Kuvend, siç dy muaj më parë e fitoi në mënyrë plebishitare Albin Kurti.
Edi Rama, nuk ka kohë të qajë në publik e në fushatë për Hashimin, e ky i fundit për Edin.
Thaçi tashmë është një qytetar pa post dhe po përballet me drejtësinë, ku normalisht mund ta ndihmojë edhe Rama apo Kurti në procesin e vështirë e komplikuar të Hagës.
Koha sfiduese, sidomos për Kosovën nuk është shumë e favorshme: SHBA kërkon të mbyllet sa më shpejt dialogu me Serbinë, BE nëpërmjet një diversion të kryeministrit slloven ka hedhur një hartë që është një “bombë” e vërtetë në Ballkan.
Në fushë ka zbritur fuqishëm edhe Franca e Emanuel Makronit, e cila dukshëm është më pranë Beogradit në relacionet e saj, pasi ka edhe interesa të forta ekonomike.
Duket që me Gjermaninë e një Merkeli pranë largimit, Parisi ka mendime e qasje të ndryshme për Kosovën.
Në këtë situatë, ku Albin Kurti do të përballet me një presion shumë të madh për të pranuar një marrëveshje që gjithsesi do të ketë brenda konçensione, Edi Rama është i detyruar të qëndrojë ngjitur e afër me kryeministrin e Kosovës. Me të gjitha mënyrat. Nëse ka mendime të ndryshme, qasje apo nxitje nga faktorë e aktorë që Rama i ka pasur pranë, nuk mundet që t’i favorizojë para interesave të Kosovës. Nuk mund të ketë dy qëndrime nga Tirana e Prishtina për çështjen e dialogut. Duhet të ketë një qasje strategjike, e taktika të ndërthurura, si e si për të përballuar një raund shumë të vështirë dueli diplomatik me Serbinë.
Nëse mendon ndryshe, Rama ta mbajë për vete, nëse ka informacion të hollësishëm ta shkëmbejë me Albinin, nëse ka kritika me të t’ja thotë veçmas, pasi në këtë fazë shumë delikate nuk ka sesi që Tirana e Prishtina të kenë qoftë edhe diferencën më të vogël me njëra-tjetrën, shkruan Pamfleti. Filli është i hollë e nuk duhet të këputet, nëse ka vështirësi për të komunikuar me Albinin, le të çojë Ditmir Bushatin si emisar, madje ta emërojë zyrtarisht si Përfaqësues i qeverisë së Shqipërisë për të ndihmuar Kosovën në këtë aksion jetik diplomatik.
Rrugë ka sa të duash, mjafton vullneti. Por çdo devijim i Edi Ramës në këtë fazë me Kurtin do të shikohet e cilësohet i qëllimshëm. E ka thënë edhe vetë babloku që do të tejkalojë veten gjatë mandatit të tretë. Ta kafshojë gjuhën shpesh kur i vjen cinizmi. Nuk do t’ja falë kush kësaj radhe. Por ka edhe një shans të madh përpara vetes nëse e bën mirë këtë punë…